Një fenomen i fuqishëm El Nino që po zhvillohet në Oqeanin Paqësor mund të jetë ndër më të fortët e regjistruar ndonjëherë, duke rritur ndjeshëm temperaturat globale dhe rrezikun për fenomene ekstreme të motit.
Paralajmërimi vjen nga Met Office, shërbimi kombëtar meteorologjik i Mbretërisë së Bashkuar, i cili vlerëson se ndikimi i El Nino-s, i kombinuar me efektet e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, e bën “shumë të mundshme” që viti 2027 të jetë viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë.
Ekspertët po vërejnë tashmë shenja se modelet e motit në pjesë të ndryshme të botës mund të jenë duke u ndikuar nga ky fenomen. Në Indi janë regjistruar reshje musonike nën mesataren, ndërsa në Oqeanin Atlantik aktiviteti i uraganeve ka qenë më i dobët. Shkencëtarët po monitorojnë me kujdes zhvillimet, pasi ndikimi i El Nino-s mund të shtrihet në rajone të ndryshme të globit.
Ndikimet e fenomenit mund të ndihen edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku parashikimet sugjerojnë se El Niño mund të rrisë rrezikun për një vjeshtë më të lagësht dhe më me stuhi. “Duhet ta kemi të qartë se ky është një fenomen i paprecedentë”, tha Prof. Adam Scaife, drejtues i parashikimeve afatgjata në Met Office.
Ai shtoi se nuk kishte parë më parë një sinjal El Niño kaq intensiv në parashikimet e institucionit. ÇFARË ËSHTË EL NINO? El Nino është një fenomen natyror klimatik që shfaqet zakonisht çdo dy deri në shtatë vjet dhe mund të zgjasë rreth një vit. Ai lidhet me ndryshime në temperaturën e ujërave të Oqeanit Paqësor dhe në qarkullimin atmosferik.
Në kushte normale, erërat tregtare fryjnë nga lindja drejt perëndimit përgjatë Paqësorit. Gjatë një episodi El Nino, këto erëra mund të dobësohen ose edhe të ndryshojnë drejtim. Si pasojë, ujërat e ngrohta mund të zhvendosen drejt pjesës lindore të Paqësorit, duke ndryshuar temperaturat dhe modelet e reshjeve në shumë pjesë të botës.
