Vijon edhe sot protesta qytetare në Tiranë, e cila ka hyrë në ditën e 83-të. Si çdo ditë, qytetarë të shumtë pritet të mblidhen në shesh, përpara se të marshojnë drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në drejtim të Kryeministrisë.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga protesta deri në realizimin e kësaj kërkese. Një tjetër kërkesë e protestuesve është krijimi i një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor, e cila do të kishte si mision përgatitjen e vendit për zhvillimin e zgjedhjeve të reja.
Qytetarët kërkojnë gjithashtu anulimin e disa ligjeve, të cilat sipas tyre prekin drejtpërdrejt interesat e qytetarëve. Protestat kanë vijuar për gati tre muaj pa ndërprerje, ndërsa pjesëmarrësit shprehen të vendosur për të vijuar tubimet edhe në ditët në vijim. “Nuk do të tërhiqemi deri në dorëheqjen e Edi Ramës”, është mesazhi që përcillet çdo ditë nga qytetarët.
