Studimi: Pilotët dhe stjuardesat kanë rrezik më të lartë nga kanceret

0%

Pilotët dhe stjuardesat mund të kenë rrezik më të lartë për të vdekur nga kanceret e lidhura me rrezatimin sesa njerëzit që punojnë me materiale radioaktive, sipas një studimi të ri. Studimi, i publikuar në JAMA Internal Medicine , analizoi të dhënat kombëtare të më shumë se 12 milionë certifikatave të vdekjes, duke përfshirë informacionet mbi profesionet e personave.

Studiuesit analizuan vdekjet nga lloje të kancerit që lidhen me ekspozimin ndaj rrezatimit, përfshirë leuçeminë, limfomën, mielomën multiple, si dhe kanceret e lëkurës, gjirit, tiroides, prostatës dhe sistemit nervor qendror.

Nga më shumë se 500 profesione të analizuara, stjuardesat kishin përqindjen më të lartë të vdekjeve nga kanceret e lidhura me rrezatimin, ndërsa pilotët renditeshin të dytët.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas gjetjeve, stjuardesat kishin rreth 50% më shumë gjasa të vdisnin nga një kancer i lidhur me rrezatimin krahasuar me popullatën e përgjithshme të punës, ndërsa te pilotët rreziku ishte rreth 36% më i lartë, raporton CNN . Në shifra absolute, rreth 6.9% e vdekjeve të stjuardesave ishin të lidhura me këto lloje kanceri, ose afërsisht një në 14 raste.

Për pilotët kjo përqindje ishte 6.7%, ndërsa për popullatën e përgjithshme të punës ishte rreth 5%. Rrezatimi kozmik vjen nga hapësira dhe vetëm një pjesë e vogël e tij arrin në sipërfaqen e Tokës. Megjithatë, ekspozimi është më i madh në lartësi të mëdha, çka i bën ekuipazhet e avionëve më të ekspozuara.

Studiuesit vunë në dukje se as stjuardesat dhe as pilotët nuk kishin norma më të larta se normalja për kanceret që nuk lidhen me rrezatimin, gjë që, sipas ekspertëve, mbështet hipotezën se ekspozimi profesional ndaj rrezatimit mund të jetë një faktor në rrezikun e shtuar. Megjithatë, studimi ka disa kufizime.

Studiuesit nuk kishin të dhëna për sasinë e saktë të rrezatimit ndaj së cilës ishte ekspozuar secili pilot apo stjuardesë dhe nuk mundën të përjashtonin faktorë të tjerë, si çrregullimi i ritmit biologjik, për shkak të udhëtimeve të shpeshta, ndryshimit të zonave kohore dhe orareve të parregullta të punës.

Administrata Federale e Aviacionit në SHBA e ka pranuar se ekuipazhet ajrore ekspozohen ndaj rrezatimit jonizues, por aktualisht nuk përcakton kufij federalë të dozës dhe nuk kërkon monitorimin e ekspozimit. Autori kryesor i studimit, Dr. Vishal Patel nga Shkolla Mjekësore e Harvardit, tha se “You can’t manage an exposure you’ve decided not to measure” .

Ekspertët rekomandojnë që personat që punojnë në fluturime në lartësi të mëdha të mund të kenë nevojë për kontrolle më të rregullta të lëkurës, ndërsa gratë që punojnë në këto profesione mund të marrin në konsideratë mamografi më herët ose më shpesh. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com