Kombëtarja e Kosovës U18 e vajzave ka përmbyllur kampin treditor stërvitor në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, në kuadër të përgatitjeve për pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” n në futboll.
Pas përfundimit të përgatitjeve në Kosovë, Dardanet nesër udhëtojnë drejt Italisë, ku do ta përfaqësojnë vendin në disiplinën e futbollit, në një ngjarje të rëndësishme sportive të organizuar në kuadër të Komitetit Olimpik.
Për Kombëtaren U18 të vajzave, kjo është pjesëmarrja e parë në Lojërat Mesdhetare, ndaj përzgjedhësja Albina Rrahmani e vlerëson këtë si një eksperiencë të veçantë për gjithë ekipin. “Ngjarje e rëndësishme edhe shumë e veçantë për neve.
Nuk është si kompeticionet e zakonshme që organizohen nga UEFA apo FIFA, është një kompeticion që organizohet në kuadër të Komitetit Olimpik — Lojërat Mesdhetare në Taranto të Italisë. Është hera e parë për neve që marrim pjesë, për neve si staf dhe për lojtaret, edhe mendoj që ka me qenë një eksperiencë e veçantë”, ka thënë Rrahmani.
Përzgjedhësja ka vënë në pah edhe sfidën që paraqet numri i kufizuar i lojtareve, duke marrë parasysh ritmin e ndeshjeve në këtë kompeticion. “Numri i lojtarëve është shumë i vogël. I kemi vetëm 18 lojtare, duke përfshirë këtu edhe portieret. Ndeshjet kanë me qenë shumë shpesh. E kemi ndeshjen e parë me datë 22 dhe tjetrën menjëherë me datë 23.
Me këtë numër të lojtareve nuk mjafton për të bërë një rotacion dhe ka me qenë shumë e vështirë rikuperimi i tyre për ndeshjet e radhës, që do të jenë minimum katër ndeshje, në varësi se sa larg shkojmë. Po nëse kalojmë këto ndeshje, do të vazhdojmë me dy ndeshje të tjera që do të jetë shumë ngarkesë e madhe edhe për lojtaret, por edhe për neve”, është shprehur Rrahmani.
Atmosfera në kampin e Dardaneve është e mirë, ndërsa lojtarët kanë shprehur optimizëm para sfidave që i presin në Itali. “Kemi energji shumë të mirë, jemi me çikat shumë mirë, komunikojmë krejt mirë, po shkon gjithçka perfekt. Si eksperiencë e re ka me qenë shumë e mirë, kemi me provu me bë më të mirën tonë edhe me arritë sa më shumë, me çu Kosovën sa më naltë”, ka thënë Fatime Beha.
Edhe Jonida Godeni ka vlerësuar pozitivisht ditët e përgatitjeve, duke veçuar atmosferën dhe harmoninë brenda ekipit. “Gjatë këtyre ditëve në grumbullim që kemi pasë kemi kaluar shumë mirë. Edhe që jemi tash gjeneratë e re, jemi kuptuar shumë mirë me çikat edhe po kalojmë shumë mirë në stërvitje. Edhe atmosfera është e mirë”, ka deklaruar Godeni.
Në “Taranto 2026”, Kosova do të përballet me Portugalinë, Italinë, Marokun dhe Slloveninë.
