Ministria e Arsimit dhe Shkencës u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të mos nxitojnë me blerjen e teksteve mësimore dhe materialeve shkollore.
Kjo pasi Ministria ka thënë se procesi i negocimit të çmimeve për tekstet mësimore me shtëpitë botuese ende nuk ka përfunduar dhe se katalogu përfundimtar i teksteve mësimore, së bashku me çmimet përkatëse, ende nuk është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka theksuar se pas përfundimit të procesit të negocimit me shtëpitë botuese, do të publikojë katalogun përfundimtar me çmimet e teksteve mësimore dhe do të përcaktojë shumën përkatëse për blerjen e librave për secilin nxënës.
“Andaj u bëjmë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të presin publikimin zyrtar të katalogut dhe të mos bëjnë blerje paraprake të teksteve mësimore. Njëkohësisht, Ministria u bën thirrje librarive dhe shitësve të teksteve mësimore që të mos fillojnë shitjen e librave para përfundimit të procedurave dhe publikimit të njoftimit zyrtar nga Ministria.
Për çdo informacion të mëtejshëm, prindërit, kujdestarët ligjorë dhe të gjithë të interesuarit duhet t’i referohen vetëm njoftimeve dhe publikimeve zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës”- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. 95 mijë e 388 aplikime për subvencionim të blerjes së teksteve shkollore janë aprovuar nga koordinatorët e shkollave, ndërsa 710 janë refuzuar.
