Në prag të startit të sezonit të ri, entuziazmi rreth Vllaznisë duket disi më i përmbajtur se në vitet e shkuara. Tifozët shkodranë, gjithmonë të apasionuar pas skuadrës së tyre, këtë herë preferojnë të presin dhe të shohin më parë ekipin në fushë.
Afrimet e reja, ndryshimet në përbërje dhe ajo që është treguar gjatë fazës përgatitore kanë krijuar më shumë kureshtje sesa eufori në radhët e mbështetësve kuqeblu. Pritshmëritë janë padyshim të larta, por nuk shoqërohen me atë entuziasmin maksimal që është parë në prag të disa sezoneve të mëparshme. Tifozët duan prova konkrete dhe jo vetëm emra apo premtime.
Ata kërkojnë të shohin një Vllazni konkuruese, me një identitet të qartë dhe mbi të gjitha të aftë për të luftuar në nivelet e larta të renditjes. Edhe drejtuesit e klubit kanë zgjedhur një qasje më të matur. Edhe pse në deklaratat e tyre nënvizojnë se Vllaznia është skuadër që duhet të synojë pozicionet e larta, deri tani nuk kanë “guxuar” të shpallin një objektiv konkret për sezonin.
Një qëndrim që duket i menduar mirë, sidomos pas eksperiencave të mëparshme, kur deklaratat e mëdha në fillim të sezonit janë kthyer në një “bumerang” për skuadrën. Të njëjtën linjë duket se po ndjek edhe stafi teknik.
Trajneri Edi Martini dhe bashkëpunëtorët e tij kanë preferuar të flasin më shumë për punën, përmirësimin e skuadrës dhe konkurrencën në kampionat, sesa për premtime apo objektiva madhorë. Mesazhi është i qartë: fillimisht duhet të ndërtohet skuadra dhe më pas të flitet për atë se ku mund të arrijë. Në këtë situatë, është pikërisht fusha ajo që do të japë përgjigjet e para.
Tifozët duan ta shohin Vllazninë në ndeshjet zyrtare, për të kuptuar nëse ndryshimet e kësaj vere e kanë bërë skuadrën më të fortë dhe më të qëndrueshme. Një nisje e mirë mund të ndezë shpejt emocionet në Shkodër, ndërsa paraqitjet e para do të jenë vendimtare edhe për mënyrën se si do të rriten pritshmëritë.
Për momentin, pra, Vllaznia duket se po hyn në sezon me më pak zhurmë dhe më shumë qetësi. Pa premtime të mëdha, pa objektiva të shpallur me bujë dhe me një tifozeri që pret të bindet nga ajo që do të shohë në fushë. Në Shkodër, këtë herë, duket se preferojnë që të flasë Vllaznia dhe jo fjalët për të.
