Një studim i ri nga Universiteti i Oulus në Finlandë sugjeron se njerëzit që konsumojnë më shumë kafe kanë tendencë të kenë më pak yndyrë trupore dhe abdominale, si dhe më shumë masë muskulore. Studimi, për të cilin ka raportuar ScienceDaily, analizoi të dhënat e 2,264 personave, me moshë mesatare rreth 46 vjeç.
Studiuesit krahasuan konsumin e zakonshëm të kafesë me përbërjen trupore, treguesit metabolikë dhe nivelet hormonale. Sipas gjetjeve, personat që konsumonin më shumë kafe kishin nivele më të ulëta të yndyrës totale dhe yndyrës viscerale, e cila grumbullohet rreth organeve të brendshme.
Ata kishin gjithashtu më shumë masë muskulore, edhe pse indeksi i masës trupore (BMI) ishte i ngjashëm me atë të personave që konsumonin më pak kafe. Konsumi më i lartë i kafesë u shoqërua gjithashtu me nivele më të ulëta të disa aminoacideve, të cilat kur janë vazhdimisht të larta, lidhen me rezistencën ndaj insulinës dhe rrezikun për diabetin e tipit 2.
Ndryshime më të dukshme hormonale te meshkujt Studiuesit vunë re se ndryshimet hormonale ishin veçanërisht të dukshme te meshkujt. Konsumi më i lartë i kafesë u lidh me një profil më të favorshëm të glukozës dhe insulinës, si dhe me nivele më të larta të testosteronit total dhe të proteinës SHBG. Te gratë, lidhjet hormonale ishin më të kufizuara.
Megjithatë, konsumi më i lartë i kafesë u shoqërua me nivele më të larta të SHBG-së dhe nivele më të ulëta të disa androgjeneve të lira. “Kafeja konsumohet çdo ditë nga miliona njerëz, por ende dimë çuditërisht pak për mënyrën se si lidhet me metabolizmin dhe hormonet.
Ajo që na ra më shumë në sy ishte një profil i veçantë hormonal, i cili vazhdonte të shfaqej edhe pasi morëm parasysh BMI-në dhe faktorët e stilit të jetesës”, ka thënë Luca Verroest, autori kryesor i studimit.
Kafeja nuk do të thotë domosdoshmërisht dobësim Megjithatë, studiuesit theksojnë se rezultatet nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht se kafeja shkakton humbjen e yndyrës apo rritjen e masës muskulore. Studimi është vëzhgues dhe, për këtë arsye, nuk mund të përcaktojë një lidhje shkak-pasojë. Faktorë të tjerë mund të shpjegojnë një pjesë të ndryshimeve të vërejtura.
Studiuesit po vazhdojnë të hetojnë nëse vetë kafeja mund të shkaktojë këto ndryshime dhe cilat substanca të saj mund të jenë përgjegjëse. Finlanda është ndër vendet me konsumin më të lartë të kafesë në botë, me rreth 11.8 kilogramë kafe për person në vit.
Për këtë arsye, studimi është interesant, por nuk përbën ende arsye që njerëzit të fillojnë të konsumojnë më shumë kafe me qëllim dobësimin apo rritjen e muskujve. Për të vërtetuar një efekt të drejtpërdrejtë, nevojiten studime të tjera, veçanërisht prova klinike te njerëzit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
