Kryetari i Bashkisë Pukë, Rrok Dodaj, ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve të fshatit Gojan i Madh, në Njësinë Administrative Gjegjan, për shkak të situatës kritike të krijuar nga përhapja e zjarrit masiv.
Vendimi është marrë në zbatim të Ligjit Nr. 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile”, Planit Kombëtar të Emergjencave Civile dhe Planit Vendor të Emergjencave Civile të Bashkisë Pukë, duke marrë parasysh rrezikun e drejtpërdrejtë për jetën dhe pronën e banorëve.
Procesi i evakuimit do të zhvillohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefektin e Qarkut Shkodër, strukturat e Emergjencave Civile të Bashkisë Pukë, Policinë e Shtetit dhe Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi.
Sipas urdhrit, prioritet në evakuim do t’u jepet fëmijëve dhe foshnjave, të moshuarve, personave me sëmundje kronike, personave me aftësi të kufizuara, si dhe familjeve që ndodhen në zona të izoluara ose me rrezik të lartë për përfshirje nga flakët.
Banorët e evakuuar do të akomodohen në ambientet e përgatitura të Konviktit “Ali Bytyçi” në Pukë, ku janë marrë masat për strehim, ushqim dhe shërbim mjekësor. Transporti do të sigurohet nga mjetet logjistike të Bashkisë Pukë, MZSH-ja dhe Policia e Shtetit, ndërsa, nëse do të jetë e nevojshme, do të kërkohet edhe mbështetja e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Bashkia Pukë, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Njësinë e Kujdesit Shëndetësor Pukë, Spitalin Rajonal, Kryqin e Kuq Shqiptar dhe organizatat partnere të ndihmës humanitare, do të kujdeset për strehimin dhe asistencën e të evakuuarve.
Në ambientet e strehimit të përkohshëm do të bëhet regjistrimi i plotë i banorëve, ndërsa do të sigurohen nevojat bazë, përfshirë ushqimin, veshmbathjen, higjienën dhe ndihmën e parë mjekësore. Banorët do të informohen periodikisht për situatën e zjarrit dhe masat që do të ndërmerren për kthimin e sigurt në banesa.
Urdhri i kryetarit të Bashkisë Pukë ka karakter urgjent dhe hyn në fuqi menjëherë.
