Çifti do të marrë pasaportën e Republikës së Kosovës nga kryeministri Kurti dhe do të formalizojë pranimin e arkivit personal 50-vjeçar të ish-kongresistit Sipas informacioneve jozyrtare nga burime të besueshme në Nju Jork, çifti Joseph J. DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, së bashku me një grup të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA), pritet të vizitojë Kosovën këto ditë.
Ish-kongresisti republikan i Nju Jorkut, themelues dhe kryetar i lobit të parë dhe të vetëm shqiptaro-amerikan, dhe bashkëshortja e tij, këshilltare e analiste e LQSHA-së, do të priten nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, presidentja në detyrë Haxhiu dhe zyrtarë të lartë, liderë të partive miqësore të lidhura me çiftin DioGuardi dhe populli i Kosovës.
Pritja ndaj tyre shpreh edhe një herë respektin për kontributin e tyre prej dekadash në lobimin për Kosovën, çështjen shqiptare, rënien e komunizmit dhe zbulimin e mbrojtjes së hebrenjve. DioGuardi ka origjinë nga Grecìa e Kalabrisë, nga ai gjak i shpërndarë i arbëreshëve, që ata e quajnë “sangua sporsa”.
Ky gjak i shpërndarë e ka mbajtur gjallë identitetin shqiptar për shekuj dhe DioGuardi e ktheu atë në veprim të palodhur për Kosovën. Joseph J. DioGuardi, Beqir Sina Ai ka udhëhequr përpjekjet në Kongresin amerikan për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve dhe për të ndalur dhunën në Kosovë.
Vizita vlerësohet historike Pasi zyrtarisht dhe me ceremoni nga Prishtina, pritet që çifti të marrë pasaportën e Republikës së Kosovës nga kryeministri Kurti. Në të njëjtën kohë, institucionet kosovare do të formalizojnë pranimin e arkivit personal 50-vjeçar të ish-kongresistit. DioGuardi, siç dihet, u bë shqiptaro-amerikani i parë i zgjedhur në Kongresin amerikan më 1984.
Që në vitin 1986, ai sponsorizoi rezolutën e parë për të drejtat e shqiptarëve në Ballkan dhe organizoi seancën e parë dëgjimore për Kosovën. Në maj të vitit 1990, së bashku me kongresistin Tom Lantos, i mbijetuar i Holokaustit, DioGuardi udhëhoqi delegacionin e parë amerikan në Kosovë për të sfiduar pushtimin serb të Millosheviçit.
Videot e asaj vizite, të publikuara në kanalin e LQSHA-së në YouTube, tregojnë pritjen e ngrohtë në Prishtinë e Gjakovë dhe konferencat për shtyp që e bënë person non grata në Jugosllavi. Nga Kosova ata vazhduan në Tiranë, ku u bënë zyrtarët e parë amerikanë që hynë në Shqipëri pas 50 vitesh izolimi dhe sundimit të një regjimi nga më të egërit komunistë në Europë.
Ramiz Alia, në atë kohë president, duke dashur të bënte përshtypje te Lantos, u dha një dosje të trashë me fotografi, letra dhe artikuj që dëshmonin shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore. DioGuardi i dërgoi menjëherë në Yad Vashem, ku u vërtetuan zyrtarisht. Ky akt e nxori në dritë historinë e Besës shqiptare që shpëtoi çdo hebre që hyri në Shqipëri.
Arkivi që tani po përgatitet për transferim përfshin dokumente, video nga Melburni i Australisë dhe Zelanda e Re, fotografi dhe materiale nga të gjitha trevat shqiptare. Procesi nisi në Nju Jork tre vjet më parë, në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në New York, me nënshkrimin e procesverbalit, të ndërmjetësuar nga Faton Bislimi, për Institutin për Krimet e Luftës dhe Muzeun Kombëtar.
Materialet thuhet se po digjitalizohen ende në SHBA. Në tetor 2025, gjatë ceremonisë së 85-vjetorit të tij në Yonkers, DioGuardi shpalli dhurimin e bibliotekës personale 40-vjeçare, duke thënë “për popullin e babait tim”, që të rinjtë shqiptarë të njohin sakrificat. Ky arkiv nuk është vetëm koleksion, por dëshmi e gjallë e rolit të diasporës në fitoren e lirisë.
Vizita e pritur e çiftit Joseph J. DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi në Kosovë, së bashku me një grup të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA), e përforcon këtë amanet dhe e bën këtë vizitë historike.
