Dyshohet se Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Dituria” në fshatin Dardani të Ferizajt është dëmtuar nga disa persona. Rastin e ka konfirmuar për KALLXO.com, Afrim Llabjani, drejtori i Arsimit në Ferizaj. Kurse, sipas njoftimit të shkollës, dyert e banjove janë thyer, janë dëmtuar drutë dhe ka disa mbishkrime në muret e shkollës.
“Për të gjitha këto dëmtime është njoftuar Policia e Kosovës, e cila është duke e hetuar rastin. Lusim prindërit që të jenë më të kujdesshëm me fëmijët e tyre duke i këshilluar që të mos bëjnë veprime të ndaluara në oborrin e shkollës.” – thuhet në njofitmin e Shkollës “Dituria”.
Llabjani ka thënë se ka biseduar me drejtorin e Shkollës “Dituria” dhe se ai i ka kumtuar që e kanë njoftuar Policinë. “Një dritare është thy edhe e sanon, sepse është një operator duke punuar aty. Kjo është hera e parë që ndodh në këtë shkollë.” – ka deklaruar Llabjani.
Llabjani tha se shkolla ka kamera të sigurisë, por nuk ishte në dijeni nëse është parë në pamjet e tyre se kush e ka dëmtuar shkollën. Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë në Ferizaj e ka konfirmuar për KALLXO.com se e kanë pranuar një raportim për këtë rast më . “Policia ka nisur hetimet lidhur me rastin.
Aktualisht janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, përfshirë marrjen e deklaratave dhe procedurat e tjera përkatëse, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.” – ka thënë Veseli.
