Menaxheri i Tyson Fury, Spencer Brown, ka pranuar se ka shqetësime në rritje se Anthony Joshua mund të tërhiqet nga përballja e tyre e shumëpritur në kategorinë e peshave të rënda. Data dhe vendi i duelit ende nuk janë konfirmuar, me negociatat që vazhdojnë dhe stafin e Fury që po bëhet gjithnjë e më i frustruar nga vonesa.
Brown tha se pritja e zgjatur për finalizimin e ndeshjes po ngrinte dyshime të reja nëse ajo do të ndodhte fare. “Të gjithë kanë pak dyshime në mendjen e tyre. Ka arsye pse mund ta mendosh këtë. Nëse do të më kishe pyetur një javë më parë, do të kisha thënë jo, por tani është pak shqetësuese që gjërat nuk kanë përparuar më tej. Duhet ta zhvillojmë këtë duel“, tha ai.
Madison Square Garden i Nju Jorkut duket se është favoriti për të pritur sfidën pavarësisht këmbënguljes së Joshua që përballja të zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar.
Brown konfirmoi se ishin bërë të gjitha përpjekjet për të organizuar atë në stadiumin Wembley, por pranoi se këto shpresa po veniten, ndërsa paralajmëroi se vonesat e mëtejshme rrezikonin të dëmtonin interesin publik në këtë ngjarje. “Nuk mund të vazhdosh të fshikullosh një kalë të ngordhur. Ne kemi fshikulluar një kalë të ngordhur për muaj të tërë tani.
Kemi pritur e pritur për ta bërë në Ëembley. Shpresa po venitet se do të jetë në Wembley”, tha Brown. “Duhet të merret një vendim. Le ta zhvillojmë duelin kudo që të jetë, qoftë në Timbuktu apo në stadiumin Wembley. Ne thjesht duam ta shpallim. Njerëzit po mërziten. Jemi në rrezik të bëhemi njerëz vërtet të mërzitshëm“, tha menaxheri.
