Reperi i njohur shqiptar, Marin, ka ndarë një dedikim prekës në rrjetet sociale për djalin e tij të porsalindur, i cili u nda nga jeta një vit më parë. Në ditën kur i vogli do të festonte ditëlindjen e tij të parë, artisti ka zgjedhur ta kujtojë përmes një ilustrimi të një foshnjeje me krahë engjëlli, të shoqëruar me një mesazh të ndjerë për mungesën e tij.
Në dedikimin e publikuar në gjuhën angleze, Marin ka shprehur dhimbjen që ai dhe bashkëshortja e tij, Alba, vazhdojnë ta përjetojnë, duke theksuar se kujtimi i të birit mbetet i gjallë çdo ditë. “Sot do të mbushje 1 vjeç, ushtari im, mbreti im! Sa për ta ditur, nuk ka pasur asnjë ditë që nga largimi yt që nuk të mendojmë dhe nuk e çmojmë atë që ishe dhe je për ne.
Deri herën tjetër kur babi dhe mami të të shohin, të duam përgjithmonë, engjëlli im”, ka shkruar reperi. Foto: Marin/InstaStory Postimi vjen si një kujtim i veçantë në një ditë që për familjen e tij do të duhej të ishte një festë, por që tashmë shënon një tjetër përvjetor të dhimbshëm të humbjes.
Marin dhe Alba kanë zgjedhur përgjithësisht ta mbajnë jetën e tyre familjare larg vëmendjes së publikut, ndaj ky dedikim i rrallë ka prekur ndjekësit e artistit. Çifti janë gjithashtu prindër të tre vajzave, ndërsa humbja e djalit të tyre mbetet një nga momentet më të dhimbshme në jetën e familjes.
