Policia e Kosovës ka njoftuar se më ka ekstraduar nga Kosova për në Spanjë një shtetas të huaj, i cili kërkohej përmes INTERPOL-it me letër-rreshtim ndërkombëtar. Sipas Policisë, i dyshuari ishte arrestuar në Kosovë pasi ndaj tij ekzistonte një kërkesë ndërkombëtare e lëshuar nga institucionet e drejtësisë në Spanjë.
“I dyshuari ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me letër-rreshtim ndërkombëtar, të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Spanjës për veprën penale ‘rrëmbim i fëmijës’” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Ekstradimi është realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet tjera relevante të Policisë dhe institucionet e drejtësisë. “Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe falë bashkëpunimit në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Spanjës” – ka njoftuar Policia.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare në luftimin e kriminalitetit. Sipas Policisë, ky bashkëpunim përfshin edhe gjurmimin, kapjen dhe arrestimin e personave apo grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë Kosovës.
