Njësia Punuese në Vushtrri e N.P. “Ibër-Lepenc” ka shënuar këtë vit një rezultat rekord, duke tejkaluar për herë të parë pragun prej 1,000 hektarësh të kontraktuar për ujitje. Sipas të dhënave të ndërmarrjes, janë kontraktuar mbi 1,005 hektarë tokë bujqësore për ujitje, duke shënuar nivelin më të lartë deri më tani për këtë njësi.
Nga “Ibër-Lepenc” kanë theksuar se një sistem i qëndrueshëm dhe i rregullt i ujitjes është i rëndësishëm për zhvillimin e bujqësisë, rritjen e rendimenteve dhe përballimin e sfidave të shkaktuara nga ndryshimet klimatike. Në zonat ku operon Njësia Punuese në Vushtrri kultivohen kryesisht patatja, misri dhe lakra.
Sipas ndërmarrjes, furnizimi adekuat me ujë u mundëson fermerëve ta shfrytëzojnë më mirë potencialin e tokës bujqësore. “Uji është çelësi kryesor për të garantuar cilësinë, rendimentet e larta dhe stabilitetin e prodhimit tuaj”, është theksuar nga N.P. “Ibër-Lepenc”.
Behar Mjeku nga Njësia Punuese në Vushtrri ka falënderuar fermerët për besimin dhe bashkëpunimin, duke thënë se ndërmarrja do të vazhdojë të jetë partner për bujqit në procesin e ujitjes së tokave.
