Procesi mësimor në Kosovë pritet të nisë më 1 shtator, ndërsa nuk pritet të ketë grevë nga mësimdhënësit. Nga SBAShK-u kanë konfirmuar gatishmërinë për fillimin e vitit të ri shkollor, duke bërë të ditur se mësimdhënësit janë të gatshëm për të nisur procesin mësimor.
Sindikata ka shprehur shqetësim lidhur me situatat në disa komuna, ku mësimdhënës të caktuar po konsiderohen si “tepricë teknologjike”, pavarësisht se në disa prej tyre vazhdojnë të ketë konkurse për vende të lira pune. Sipas SBAShK-ut, në shumicën e shkollave përgatitjet për vitin e ri shkollor kanë përfunduar, ndërsa në disa të tjera punimet janë drejt përfundimit.
Ndërkohë, sindikata ka bërë të ditur se nuk ka ndonjë veprim sindikal të paralajmëruar që do të mund ta vononte fillimin e mësimit. Pritet që edhe procesi i subvencionimit të teksteve shkollore të përfundojë pa probleme dhe nxënësit t’i pranojnë librat me kohë. Kështu, shkollat në Kosovë pritet t’i hapin dyert më 1 shtator, pa paralajmërime për grevë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
