Një vaksinë e re, e personalizuar kundër kancerit, ka treguar rezultate premtuese në parandalimin e rikthimit të melanomës te pacientët me rrezik të lartë. Vaksina, e zhvilluar nga Moderna dhe Merck, është testuar në kombinim me ilaçin imunoterapeutik Keytruda, pas ndërhyrjes kirurgjikale te pacientët me melanoma.
Në fazën e tretë të provës klinike, ku morën pjesë më shumë se 1 mijë pacientë, kombinimi i vaksinës me Keytruda ka zgjatur ndjeshëm periudhën gjatë së cilës pacientët kanë mbetur pa shenja të kancerit, ndërsa është ulur edhe rreziku i përhapjes së sëmundjes në organe të tjera. Vaksina përdor teknologjinë mRNA për të synuar mutacionet specifike të tumorit të secilit pacient.
Për këtë qëllim, shkencëtarët analizojnë një pjesë të tumorit të hequr gjatë operacionit dhe krijojnë një vaksinë të përshtatur posaçërisht për karakteristikat e kancerit të pacientit. Qëllimi është që vaksina ta “mësojë” sistemin imunitar të identifikojë dhe të sulmojë qelizat kancerogjene që mund të kenë mbetur në organizëm pas operacionit.
Ekspertët e kanë cilësuar rezultatin si një hap të rëndësishëm në zhvillimin e trajtimeve të personalizuara kundër kancerit, por kanë bërë thirrje për kujdes, pasi të dhënat e plota ende nuk janë publikuar dhe shqyrtuar nga ekspertë të pavarur.
Vaksina Intismeran dhe trajtimet e ngjashme po studiohen edhe për lloje të tjera të kancerit, përfshirë atë të mushkërive, fshikëzës urinare dhe veshkave. Megjithatë, trajtimi ende nuk është i disponueshëm për përdorim të gjerë. Ai duhet të përfundojë procesin e provave klinike dhe të marrë miratimin e autoriteteve rregullatore.
Rezultatet e reja po konsiderohen si një zhvillim premtues në kërkimin për vaksina të personalizuara kundër kancerit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
