Legjenda braziliane e futbollit, Roberto Carlos, ka reaguar për herë të parë ndaj raportimeve se është konvertuar në Islam pas martesës me marokenen Souhaila Al-Tahiri. Raportimet për konvertimin e ish-mbrojtësit të Real Madridit nisën të qarkullojnë pas një deklarate të deputetit turk Ali Sahin.
Ai kishte treguar për një takim me Sheikh Jihad Hamada në São Paulo, duke pretenduar se Carlos kishte vizituar sheikun rreth katër javë më parë, kishte recituar shahadetin dhe kishte pranuar Islamin. Lajmi u përhap më pas gjerësisht në mediat turke dhe në rrjetet sociale. Megjithatë, Roberto Carlos i ka mohuar këto pretendime.
Në një deklaratë për gazetën saudite “Okaz”, ai tha se ka respekt të madh për Islamin, por se nuk është konvertuar. “Unë kam respekt të madh për Islamin dhe është e mrekullueshme të shoh gruan time duke u lutur, por thashethemet që qarkullojnë rreth konvertimit tim në Islam janë të pavërteta”, deklaroi Carlos.
Ai foli edhe për ceremoninë e martesës, e cila kishte nxitur spekulimet për ndryshimin e tij të besimit. “Festimi u mbajt në më shumë se një formë. Ne ishim të etur të mbanim një ceremoni të përshtatshme për besimet e anëtarëve të familjes, pasi ata janë katolikë, së bashku me një ceremoni tjetër të përshtatshme për gruan time dhe miqtë e saj myslimanë”, tha ish-futbollisti.
Carlos, 53-vjeçar, konsiderohet një nga mbrojtësit më të mëdhenj në historinë e futbollit dhe është legjendë e Real Madridit dhe kombëtares braziliane. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
