Ilir Daja në prag sfidën ndaj Pafos: Po nuk pate një ëndërr, nuk mund

0%

Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, foli në konferencën për shtyp përpara sfidës së nesërme ndaj Pafos, i vlefshëm për raundin e parë “play-off” në Conference League. Në prononcimin për media tekniku u shpreh. “Në një ndeshje futbollit gjithmonë ka vështirësi, janë prezente të 3-ja rezultatet.

Besoj që në fushën tonë edhe me përkrahjen e tifozëve, që në ndeshjen e kaluar i kishim akoma më të shumtë, ndaj Audas, mund të bëjmë diçka që t’ua shpërblejmë edhe atyre që do vijnë në stadium për të parë një ndeshje të bukur, pavarësisht se e dimë që niveli i vështirësisë, është goxha i lartë. Mungesa nuk kemi, por kemi një gjendje virusale, që as neve të stafit nuk i kemi shpëtuar.

Besoj që nesër do të jenë të gjithë në dispozicion, pavarësisht se ndonjë lojtar mund të jetë me minutazh të limituar, për shkak të viruseve që qarkullojnë në këto ditë vere. Kemi dhe 2-3 lojtarë që kanë qenë me terapi për t’u riaftësuar. Nesër mund t’i menaxhojmë në një mënyrë sa më të mirë të jetë e mundur. Nuk do të rrime në fazën mbrojtëse, do të tentojmë të sulmojmë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në fund fare mbrojtja më e mirë është sulmi. Natyrshëm do të sulmojmë. Duhet të kemi shkallëzimet dhe ekuilibrat gjatë gjithë kohës, Pafos përveç se ka një ekip që funksionon mirë në grup, ka dhe individë goxha të rrezikshëm, me cilësi goxha të mira që në momente të caktuara mund të jenë dhe të rrezikshëm. Ne do të mundohemi të bëjmë lojën tonë.

Po nuk pate një ëndërr, nuk mund të kërkosh e ta bësh realitet. Unë e kam thënë edhe në ndeshjen e parë, aty ku është më e vështirë, ndoshta është edhe më bukur për të vazhduar përpara. Një pjesë e mirë e grupit kanë qenë edhe vjet në të njëjtat nivele. Është kënaqësi të luash në “play off”-in e Ligës së Konferencës. Ka shumë futbollistë që nuk e kanë provuar të qenurit deri këtu.

Kur ke futbollistë me eksperiencë brenda grupit, nuk është problem i madh të ruash ekuilibrat psikologjik që ka një ndeshje “play off”-i. Deri sa kemi arritur në këtë nivel, besoj që e kemi merituar. Kemi pasur ndeshje të forta si me Astanën me Audën apo me Aluminin. Na pret një ndeshje akoma më e vështirë me Pafos, vitin e kaluar ishte në grupet e Champions-it.

E dimë që koeficienti i ndeshjes është i nivelit të vështirë. Në fund do të tentojmë gjithçka për gjithçka, për të marrë maksimumin nga ndeshja e parë, pastaj t’i marrim ndeshjet një nga një”, deklaroi Daja.

Burimi: Bota Sot