Protesta që nxori lakuriq ‘tolerancën’ fetare!

0%

Pas daljes publike të Lëvizjes së Deçanit pasoi një breshëri sulmesh të papara dhe të padëgjuara më parë. Me epitetet më të ulëta fyese na sulmonin, gjoja se paskëshim prishur tolerancën fetare, me të cilën me shekuj jemi mburrur.

Në mënyrën më demokratike, ne u larguam nga Islami si revoltë ndaj sulmeve të parreshtura që i bëheshin kulturës, traditës, zakoneve, figurave madhore të historisë kombëtare, flamurit kombëtar, Kanunit të Lekë Dukagjinit e shumë e shumë gjërave të tjera të identitetit tonë kombëtar.

Protestat në Vushtrri kundër vënies së gurthemelit të një kishe në Vushtrri nxorën lakuriq në sipërfaqe urrejtjen e një pjese të xhematit, të hipnotizuar nga emisarët e Islamit Politik. Ndërtimi i mbi 800 xhamive pas luftës, shumica pa leje ndërtimi, duke shkelur ligjet dhe rregulloret komunale, u bë afër shkollave dhe në vende publike.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Askush nuk protestoi kundër tyre; përkundrazi, ato u ndërtuan me pompozitet dhe propagandë. Thirrja e ezanit me tone të larta, jashtë çdo norme ligjore dhe njerëzore, pa pyetur nëse e pengojnë dikë, gjithashtu nuk u bë problem për askënd.

Ndërtimi i disa xhamive mbi themelet e kishave katolike, shndërrimi i disa kishave në xhami, emërtimi i disa xhamive me emrat e xhelatëve që masakruan shqiptarët, nuk e pengoi askënd dhe asnjëherë nuk protestuam kundër tyre. Atëherë, kë e pengoi vënia e gurthemelit të një kishe katolike në Vushtrri dhe cili ishte motivi i protestuesve kundër saj? Kjo është tolerancë fetare? Jo!

Jo, gjithçka mund të jetë, por vetëm tolerancë fetare nuk është. Është një arrogancë dhe një urrejtje e mbjellë ndër vite nga ligjëratat e emisarëve të Islamit Politik. Në vend që të shkonin të gjithë shqiptarët së bashku, pa dallim feje, dhe në mënyrë festive ta vendosnin gurthemelin e asaj kishe, ata zgjodhën të kundërtën: protestën kundër vëllezërve të tyre të besimit katolik.

Pas gjithë kësaj, nuk pati asnjë reagim nga kreu i BIK-ut, e madje as nga ndonjë hoxhë, së paku për ta dënuar një veprim të tillë. Në këtë mënyrë, në heshtje, u solidarizuan me protestuesit. Kjo është „toleranca“ fetare që mbollën emisarët e Islamit Politik ndër vite. Ky rast duhet të jetë një alarm për institucionet e Kosovës dhe për mbarë popullin në përgjithësi.

Islami Politik ka marrë hov dhe është rrezik për shtetin dhe shoqërinë tonë në përgjithësi. Andaj, duhet vepruar shpejt për ta neutralizuar, sa nuk është vonë.

Burimi: Bota Sot