Takohen ministrat e transportit të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut,

0%

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit i Kosovës, Dimal Basha, ka zhvilluar sot në Shkup një takim me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Transportit të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikoloski, ku është diskutuar për avancimin e projekteve të përbashkëta infrastrukturore ndërmjet dy vendeve.

Në fokus të takimit ishte projekti strategjik i rrugës Prizren–Tetovë, përfshirë ndërtimin e tunelit që pritet t’i lidhë më drejtpërdrejt dy qytetet. Basha bëri të ditur se projekti tashmë është në proces dhe se ekipet teknike të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut po bashkëpunojnë për hartimin e tij.

“Projekti Prizren–Tetovë është tashmë në proces, ndërsa ekipet tona teknike janë duke bashkëpunuar në hartimin e projektit. Sot u dakorduam që ky bashkëpunim të intensifikohet, të finalizohet sa më shpejt hartimi i projektit dhe më pas të vazhdojmë me procedurat për kontraktimin dhe realizimin e tij”, tha Basha.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas tij, realizimi i këtij projekti do të shkurtojë ndjeshëm distancën ndërmjet Prizrenit dhe Tetovës dhe do të krijojë një korridor të ri ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Gjatë takimit u diskutua edhe për avancimin e lidhjeve të tjera rrugore dhe hekurudhore mes dy vendeve.

Në këtë kuadër u përmendën autostrada Prishtinë–Shkup, rikthimi i komunikacionit hekurudhor dhe funksionalizimi i një stacioni të përbashkët hekurudhor kufitar, i njohur si “One Stop Shop”. Basha vlerësoi se përmirësimi i infrastrukturës së përbashkët do të ndikojë në lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave, si dhe në afrimin e bizneseve të të dyja vendeve.

“Lidhja më e mirë infrastrukturore do të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave, do të afrojë bizneset dhe do të krijojë mundësi të reja për tregti, investime dhe zhvillim ekonomik në të dyja vendet”, deklaroi ai.

Në fund të takimit, Basha falënderoi ministrin Nikoloski dhe zëvendësministren Kaltrina Zekolli-Shaqiri për mikpritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim, duke theksuar se ekziston vullnet i përbashkët që projektet e diskutuara prej kohësh të kalojnë nga faza e planifikimit në realizim konkret.

Burimi: Telegrafi