Qytetarë të shumtë janë mbledhur këtë të martë në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, prej nga kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë për të zhvilluar protestën e 81-të kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Pas grumbullimit në qendër të kryeqytetit, protestuesit janë nisur drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku po zhvillohet protesta para godinës së Kryeministrisë.
Gjatë marshimit, qytetarët kanë brohoritur në kor thirrje kundër qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama. “Poshtë narkoshteti”, “Rama o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë”, “Arrestoni Ramën, arrestoni Belindën”, si dhe “Rama në burg, Berisha në burg”, ishin disa nga thirrjet që dëgjoheshin gjatë protestës.
Protesta vjen në kuadër të mobilizimeve të vazhdueshme të qytetarëve dhe grupeve opozitare, të cilat prej muajsh po organizojnë tubime kundër qeverisë, duke kërkuar ndryshime politike dhe përgjegjësi institucionale.
