Sipas të përditshmes spanjolle MARCA , Jose Mourinho ka kaluar më shumë se një muaj duke punuar në Valdebebas, me synimin për të vendosur një kulturë të re pune, respekti dhe disipline brenda dhomës së zhveshjes së Real Madridit.
Duke rikujtuar periudhën e tij të parë në krye të klubit madrilen, Mourinho ka treguar në një dokumentar të fundit se kishte vërejtur menjëherë disa zakone të këqija te futbollistët. “Shpejt kuptova se ishin të llastuar”, deklaroi trajneri portugez, duke iu referuar diskutimeve të para për oraret, rregullat dhe privilegjet që gëzonin lojtarët.
Pas një sezoni pa trofe, Mourinho është i vendosur të eliminojë çdo shenjë vetëkënaqësie dhe të vendosë rregulla të qarta strukturore që nga dita e parë. Trajneri kërkon që grupi të funksionojë me një nivel më të lartë përgjegjësie dhe përkushtimi.
Mourinho është parë duke mbërritur rregullisht herët në qendrën stërvitore të Real Madridit, ku vëzhgon nga afër përqendrimin, energjinë dhe përkushtimin e lojtarëve përpara fillimit të seancave stërvitore. Gjatë prezantimit të tij zyrtar, në krah të presidentit Florentino Perez dhe legjendës së klubit Pirri, Mourinho shpalosi qartë filozofinë që dëshiron të aplikojë te skuadra.
“Unë jam njëri prej jush, gjithmonë kam qenë”, deklaroi ai, duke theksuar lidhjen e tij me klubin dhe duke përsëritur synimin për të rikthyer ambicien, përgjegjësinë dhe mentalitetin fitues në Valdebebas.
Për Mourinhon, objektivi nuk është vetëm përmirësimi i rezultateve në fushë, por edhe krijimi i një strukture të fortë brenda grupit, ku disiplina dhe përkushtimi të jenë të panegociueshme.
