Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar kundër rregullores së GJKKO-së për praninë e medias në seancat gjyqësore. Përmes një reagimi në rrjetin e tij social Facebook, Blushi e ka cilësuar atë si një kufizim të transparencës dhe të lirisë së medias.
Blushi ka kërkuar që seancat gjyqësore ndaj Presidentit të PL-së, Ilir Meta, si dhe ndaj çdo zyrtari të lartë, të jenë publike dhe të ndiqen nga opinioni publik. Sipas tij, nuk mund të ekzistojë një standard i dyfishtë ku hetimet, të cilat ligjërisht duhet të jenë sekrete, bëhen publike.
Ndërsa proceset gjyqësore, që sipas parimit kushtetues duhet të jenë publike, zhvillohen larg vëmendjes së publikut, ndërsa thekson se një gjykatë vërtet e pavarur nuk ka arsye t’i trembet transparencës. Në fund, Blushi thotë se transparenca e drejtësisë nuk mund të konsiderohet kërcënim për drejtësinë, një nga garancitë themelore të besimit te drejtësia.
Tedi Blushi: Nuk mund të pranohet kurrë një standard i dyfishtë: hetimet, të cilat sipas ligjit duhet të jenë sekret, bëhen publike për vite me radhë, ndërsa gjykimi, i cili sipas parimit kushtetues duhet të jetë publik, shndërrohet në sekret dhe zhvillohet në fshehtësi dhe larg syrit të publikut. Por kush është viktima e korrupsionit të zyrtarëve të lartë? Pa diskutim, publiku.
Prandaj publiku ka të drejtën legjitime të ndjekë proceset gjyqësore ndaj zyrtarëve të lartë dhe të dëgjojë drejtpërdrejt, në mënyrë transparente, të dyja palët përballë gjykatës. Një gjykatë vërtet e pavarur nuk ka arsye t’i trembet transparencës. Përkundrazi, autoriteti i saj forcohet pikërisht nga një proces i hapur, i drejtë dhe i kontrollueshëm nga opinioni publik.
Problemi bëhet serioz kur, përmes rregullave të brendshme, kufizohet jo vetëm liria e medias dhe e drejta e publikut për informim, por preken edhe parimet e hierarkisë gjyqësore, vendimet e KLGJ-së, garancitë kushtetuese dhe standardet e KEDNJ-së. Transparenca e drejtësisë nuk mund të konsiderohet kërcënim për drejtësinë.
Përkundrazi, ajo është një nga garancitë themelore të besimit te drejtësia. Dhe kur një proces gjyqësor mbyllet nga publiku në kundërshtim me parimet kushtetuese, çështja nuk është më thjesht se kush lejohet të hyjë në sallën e gjyqit. Çështja është nëse vetë drejtësia po respekton rregullat mbi të cilat mbështetet rendi kushtetues i Republikës së Shqipërisë.
