Vrasja e turistit në Ksamil vë në lëvizje qeverinë portugeze: Presim

0%

Qeveria portugeze ka reaguar lidhur me vrasjen në Shqipëri të turistit 20-vjeçar Luis Miguel Varela Mendes, i cili u vra me thikë nga 29-vjeçari Sokrat Vata. Ministria e Punëve të Jashtme e Portugalisë njoftoi se po e ndjek nga afër çështjen dhe se është në komunikim me autoritetet shqiptare përmes Ambasadës së Portugalisë në Romë dhe Konsullatës së Nderit në Tiranë.

Raquel Trindade, nga kabineti i ministrit portugez të Punëve të Jashtme, deklaroi për radion “Renascença” se autoritetet portugeze ende nuk kanë marrë informacion zyrtar të plotë mbi rrethanat e ngjarjes dhe veprimet e ndërmarra nga autoritetet në Tiranë.

“Ministria e Punëve të Jashtme po ndjek rastin e këtij shtetasi portugez që ka humbur jetën në Shqipëri dhe, përmes ambasadës sonë në Romë, si edhe Konsullatës së Nderit në Tiranë, jemi në kontakt me autoritetet lokale” , deklaroi Trindade. Ajo konfirmoi se, për momentin, pala portugeze ende nuk ka një pasqyrë të plotë dhe zyrtare për atë që ka ndodhur.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Nga mediat lokale dimë se ka pasur ndalime, por për momentin ende nuk kemi informacion përmes rrjetit tonë që mund ta përcjellim” , shtoi Raquel Trindade. Sipas saj, Ministria e Punëve të Jashtme do të vazhdojë ta ndjekë çështjen dhe të mbajë kontakte si me autoritetet shqiptare, ashtu edhe me familjen e viktimës.

Luis Miguel Varela Mendes u gjet në orët e para të mëngjesit të së martës me plagë të shkaktuara me thikë. Sipas raportimeve të deritanishme, ngjarja dyshohet se ndodhi pas një konflikti. Duke iu referuar mediave shqiptare, “Renascença” raporton se 11 persona janë ndaluar në lidhje me vrasjen. Si i dyshuari kryesor për goditjen me thikë përmendet 29-vjeçari Sokrat Vata.

Sipas të njëjtit burim, autori ka precedentë në Mbretërinë e Bashkuar për vepra që lidhen me trafik droge, armëmbajtje dhe drejtim të rrezikshëm të automjetit.

Burimi: Bota Sot