Një shtetas iranian ka kërkuar azil në Kosovë, pasi është ndaluar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, gjatë kontrollit më 18 gusht, i dyshuari kishte paraqitur një pasaportë të lëshuar nga Belgjika.
Gjatë intervistimit, ai e kishte pranuar se dokumenti nuk ishte i tij dhe kishte deklaruar se ishte shtetas iranian, pa dokumente personale me vete. Ai u kishte thënë autoriteteve se ndihej i kërcënuar në Iran. Drejtori i Qendrës për Azil, Fitim Zariqi, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se shtetasi iranian e ka dorëzuar kërkesën për azil.
“Ka parashtruar kërkesë për azil edhe shqyrtohet kërkesa prej Ministrisë së Punëve të Brendshme”, tha Zariqi. Sipas tij, shqyrtimi i kërkesës mund të zgjasë deri në gjashtë muaj, me mundësi vazhdimi edhe për tre muaj të tjerë. “Po zakonisht nuk zgjat më shumë se mesatarisht dy muaj e gjysmë, apo tre” , tha ai.
