APK nis vlerësimin e rrezikut të korrupsionit në prokurimin publik,

0%

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka shënuar hapa konkretë në forcimin e mekanizmave parandalues, integritetit publik dhe llogaridhënies në Kosovë gjatë periudhës janar–qershor 2026. Në kuadër të vlerësimit të korrupsionit në legjislacion, APK ka zhvilluar katër takime informuese me institucionet publike lidhur me programet dhe planet e tyre legjislative për vitin 2026.

Gjatë kësaj periudhe janë vlerësuar 3 projekt/akte normative, përkatësisht një projektakt ligjor dhe dy akte nënligjore. Për këto akte janë dhënë gjithsej 26 rekomandime, prej të cilave 10 tashmë janë adresuar, ndërsa rekomandimet e tjera mbeten në proces vlerësimi.

“Në këto vlerësime janë identifikuar faktorë të ndryshëm të rrezikut të korrupsionit, përfshirë paqartësitë dhe dykuptimësitë që lidhen me harmonizimin dhe zbrazëtirat ligjore, si dhe mungesën e mekanizmave të mjaftueshëm parandalues”, thuhet në njoftimin e APK-së. APK ka avancuar edhe procesin e vlerësimit të rrezikut të korrupsionit në sektorë të ndryshëm.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në partneritet me UNDP-në është hartuar dhe aprovuar metodologjia e re për vlerësimin e rrezikut të korrupsionit. Ndërkohë, është lansuar procesi për Vlerësimin e Rrezikut të Korrupsionit në Prokurimin Publik, ku është themeluar një grup punues me 25 anëtarë, të përbërë nga përfaqësues të institucioneve të ndryshme, ndërmarrjeve publike, nivelit komunal dhe shoqërisë civile.

Deri tani janë zhvilluar tri takime të këtij grupi. Në kuadër të mbështetjes për institucionet publike, me përkrahjen e Këshillit të Evropës/Projektit kundër Krimit Ekonomik (PECK III), APK ka organizuar një aktivitet katërditor me pjesëmarrjen e 30 përfaqësuesve nga institucionet administrative dhe ndërmarrjet publike.

“Aktiviteti ka pasur për qëllim ofrimin e mbështetjes për zbatimin e gjetjeve të vlerësimit të rrezikut të korrupsionit, hartimin e masave të përshtatshme zbutëse dhe monitorimin e efektivitetit të tyre”, thekson APK.

Po ashtu, në bashkëpunim me Iniciativën Rajonale Kundër Korrupsionit (RAI), është organizuar një trajnim kombëtar katërditor për vlerësimin e rrezikut të korrupsionit dhe vlerësimin e korrupsionit në legjislacion, me fokus në sektorët e sigurisë dhe mbrojtjes së natyrës dhe biodiversitetit. Në trajnim kanë marrë pjesë 54 përfaqësues nga institucionet përkatëse dhe shoqëria civile.

APK ka përfunduar gjithashtu vetëvlerësimin e mekanizmave të sinjalizimit dhe deklarimit të pasurisë, ndërsa është në proces të finalizimit të vetëvlerësimit për konfliktin e interesit dhe politikat kundër korrupsionit.

Sipas Agjencisë, këto procese janë zhvilluar në përputhje me udhëzuesin e Rrjetit Kundër Korrupsionit të OECD-së për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore (ACN), në kuadër të Planit të Veprimit Kundër Korrupsionit të Stambollit, Raundi i 5-të i Monitorimit.

APK thotë se përmes këtyre aktiviteteve synon të forcojë qasjen parandaluese ndaj korrupsionit, identifikimin në kohë të rreziqeve dhe përmirësimin e kuadrit ligjor e institucional.

“Agjencia mbetet e përkushtuar në fuqizimin e mekanizmave parandalues dhe në mbështetjen e institucioneve publike për ndërtimin e një sistemi më efektiv të integritetit, transparencës dhe llogaridhënies”, thuhet në përfundim të njoftimit.

Burimi: Telegrafi