Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, të dyshuar se përmes një skeme mashtrimi për transplantim të veshkës i kanë shkaktuar një personi dëm material prej 134 mijë e 761 euro.
Sipas aktakuzës, i pandehuri V.H., gjatë periudhës nga 26 maji 2021 deri më , në fshatin Lubeniq të Pejës, dyshohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror e ka mashtruar të dëmtuarin, duke e vënë dhe mbajtur atë në lajthim përmes paraqitjes së rreme të fakteve.
Sipas Prokurorisë, V.H. dyshohet se është paraqitur rrejshëm si mjek në specializim në një spital në Turqi dhe i ka premtuar të dëmtuarit se do t’i mundësonte kryerjen e transplantimit të veshkës. “Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës, i pandehuri ka kërkuar dhe pranuar nga i dëmtuari mjete financiare, kinse për shpenzime spitalore dhe procedura lidhur me transplantimin.
Tutje, sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se ka përdorur në mënyrë të rreme të dhëna, dokumente dhe emra të mjekëve të një spitali në Turqi, me qëllim të krijimit të bindjes tek i dëmtuari se procedura e transplantimit do të realizohej, duke i shkaktuar atij dëm material në shumën prej 134 mijë 761 euro”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, i pandehuri A.K. , sipas aktakuzës, dyshohet se ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale, duke e njoftuar të dëmtuarin me V.H.-në dhe duke e paraqitur atë rrejshëm si mjek në Turqi. Sipas aktakuzës, A.K. dyshohet se i ka krijuar të dëmtuarit besim lidhur me kompetencat dhe mundësitë e V.H.-së për organizimin e transplantimit të veshkës.
Në këtë rast është i përfshirë edhe një person tjetër, i cili sipas aktakuzës dyshohet se është paraqitur si dhurues i veshkës. Për të, procedura penale është veçuar. Prokuroria ka vlerësuar se, me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se dy të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprave penale për të cilat akuzohen. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
