Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka pritur në selinë e KFOR-it në kampin Film City në Prishtinë ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Sipas njoftimit të KFOR-it, takimi u fokusua në situatën e sigurisë në rajon dhe angazhimin e misionit të NATO-s për ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë.
“Gjatë takimit, Gjeneral Major Ulutaş shprehu vlerësimin e tij për kontributin e gjatë dhe të vlefshëm të Mbretërisë së Bashkuar në misionin KFOR të udhëhequr nga NATO “, thuhet në njoftim.
KFOR ka theksuar se vazhdon ta zbatojë mandatin e tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me synim garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë, si dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë në Kosovë.
Në njoftim thuhet gjithashtu se KFOR-i vepron në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX-in, në përputhje me përgjegjësitë e tyre për sigurinë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!