Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Gjilanit ka realizuar rrënimin e një objekti të ndërtuar pa leje në pronë komunale, në lagjen “Arbëria”, duke liruar hapësirën e cila, sipas komunës, ishte uzurpuar për më shumë se 20 vite.
Sipas njoftimit të Komunës së Gjilanit, pronarit të objektit, T.S., fillimisht i ishte dhënë afat që në mënyrë vullnetare ta largonte shtallën/objektin nga prona komunale. Meqenëse objekti nuk u largua brenda afatit të përcaktuar, Inspektorati kishte shqiptuar edhe gjobë për shfrytëzimin e hapësirës publike pa lejen e organit kompetent.
Megjithatë, edhe pas shqiptimit të gjobës, objekti nuk ishte larguar. Në bazë të vendimit për lirimin e pronës komunale dhe rrënimin e objektit të ndërtuar pa autorizim, inspektorët kanë ndërmarrë veprimet për rrënimin e tij dhe pastrimin e hapësirës.
Komuna e Gjilanit ka bërë të ditur se përmes këtyre veprimeve synon t’ua rikthejë qytetarëve hapësirat komunale të uzurpuara, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat ligjore për shfrytëzimin e pronës publike. Sipas komunës, hapësirat komunale duhet të mbeten të lira, të qasshme dhe të sigurta për të gjithë.
