Arsenali rikthehet të shikojë nga Juventusi dhe emri është gjithmonë i njëjti: Kenan Yildiz. “Topçinjtë”, pasi e morën përgjigjen përfundimtare negative për Julian Alvarez, po i vlerësojnë disa alternativa për repartin ofznziv dhe mes tyre, siç shkruan “Tuttosport”, është edhe talenti turk.
Interesimi nuk është aspak i ri dhe së shpejti mund të shndërrohet në një lëvizje konkrete, me anglezët që janë të gatshëm ta vendosin në tavolinë një shifër pranë 100 milionë eurove. Një perspektivë që, nga pikëpamja ekonomike, mund ta tundonte Juventusin, i cili ka nevojë të arkëtojë para nga lojtarët që nuk janë më pjesë e planeve dhe ta reduktojë një skuadër që ende duhet të modelohet.
Por Yildiz përbën një përjashtim. Numri 10 i Juventusit konsiderohet nga klubi si një pasuri teknike dhe identitare, por edhe si investimi kryesor për të ardhmen.
Rëndësia e tij është konfirmuar edhe nga vazhdimi i kontratës deri në vitin 2030, i shoqëruar me një pagë prej lojtari të nivelit të lartë, duke e dëshmuar vullnetin e klubit për ta ndërtuar projektin e ri të Juventusit rreth tij. Arsenali, megjithatë, nuk duket i gatshëm të dorëzohet. Yildiz pëlqehet veçanërisht nga Mikel Arteta, i cili e konsideron turkun një profil ideal për “Gunners”.
Juventusi, nga ana tjetër, dëshiron t’i qëndrojë besnik planit fillestar dhe nuk e ka ndërmend ta nxjerrë turkun në shitje. Për të ndryshuar situatën do të duhej mbi të gjitha vullneti i vetë lojtarit, i cili deri tani e ka përsëritur vazhdimisht lidhjen e tij me klubin.
Yildiz mbetet një nga pikat kryesore të projektit të Juves, ndërsa Arsenali vazhdon ta monitorojë nga afër situatën dhe mund të provojë sërish ta bindë klubin bardhezi me një ofertë të rëndësishme. Për momentin, megjithatë, qëndrimi i Juventusit është i qartë: Kenan Yildiz nuk është në shitje.
