José Mourinho ka folur për Real Madridin dhe aventurën e tij të re në bankinën e “Los Blancos”. Në një intervistë me Josep Pedrerol për “El Chiringuito”, trajneri portugez ka treguar për ndryshimet e tij gjatë 13 viteve të fundit, marrëdhënien me dhomën e zhveshjes dhe ambiciet e skuadrës në prag të debutimit në La Liga kundër Espanyolit.
“Kam ndryshuar në shumë gjëra, si person dhe si trajner. Kam më shumë pjekuri, jam më pak emocional dhe më i kontrolluar, por ADN-ja ime është gjithmonë e njëjtë. Nuk mund ta fsheh atë që jam”, shpjegoi Mourinho. Trajneri e theksoi edhe rëndësinë e eksperiencës: “Në jetë duhet të mësosh nga gabimet, jo të pendohesh për to.
Në futboll, sa më shumë eksperiencë të kesh, aq më shumë situata ke përjetuar dhe aq më e madhe mund të jetë cilësia e punës tënde”. Për grupin e ri që e ka gjetur në Madrid, Mourinho e vlerësoi qëndrimin e lojtarëve: “E kam gjetur një dhomë zhveshjeje me shumë dëshirë për të fituar dhe të hapur ndaj arsyes së shëndoshë.
Deri tani nuk kam pasur nevojë të jem ai lideri agresiv që mund të jem, sepse ata më kanë mbrojtur nga ky version i vetes”. Portugezi foli edhe për marrëdhënien e tij totale me klubin: “Nuk më pëlqen vetëm të punoj te Real Madridi, më pëlqen të punoj për Real Madridin. Që nga dita e parë në Valdebebas ua kam thënë të gjithëve: jemi këtu për të punuar për këtë klub”.
Përkushtimi i tij shkon deri aty sa Mourinho ka zgjedhur të jetojë praktikisht në qendrën stërvitore të Real Madridit: “Kur familja ime nuk është në Madrid, qëndroj gjithmonë në Valdebebas. Largohem prej këtu në orën gjashtë ose shtatë, është shumë komode të qëndrosh këtu”..
