Abuzoi me të burgosurit/ Arrestohet në Siri ish-zyrtari i sigurimit

0%

Forcat siriane të sigurisë kanë arrestuar një ish-zyrtar të aparatit të sigurisë së regjimit të Bashar al-Assadit, i cili ishte larguar nga Austria pasi ishte dënuar me tetë vite burg për abuzimin e të burgosurve.

Sipas agjencisë shtetërore siriane SANA, nënkoloneli Musab Abu Rukba u arrestua në qytetin Nawa, në provincën Daraa, nga forcat e sigurisë së brendshme në bashkëpunim me shërbimin kundër terrorizmit. Abu Rukba u dënua në korrik nga një gjykatë në Vjenë për shkaktim të lëndimeve trupore, shtrëngim dhe sulm seksual ndaj kundërshtarëve të regjimit të Assadit.

Ai kishte shërbyer për më shumë se një dekadë si drejtues i departamentit të hetimeve penale të policisë në qytetin e Rakas. Ish-zyrtari i kishte mohuar akuzat. Sipas Reuters, Abu Rukba u largua nga Austria pasi apeloi vendimin e gjykatës dhe mbërriti në Nawa në fillim të korrikut. Familjarët e tij kishin organizuar edhe një pritje për kthimin e tij në qytetin e lindjes.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

SANA raportoi se ai kishte hyrë ilegalisht në territorin sirian pasi ishte larguar nga Austria dhe se autoritetet e gjetën në Nawa. Pas arrestimit, ai iu dorëzua autoriteteve përkatëse për përfundimin e procedurave ligjore dhe përballjen me ndjekjen penale.

Megjithatë, ende nuk është bërë e ditur se për çfarë akuzash do të përballet Abu Rukba në Siri dhe nëse Austria ka kërkuar arrestimin apo ekstradimin e tij. Një zëdhënës i gjykatës austriake i tha Reuters se, përpara procesit gjyqësor, Abu Rukba nuk konsiderohej si person me rrezik arratisjeje.

Ai kishte jetuar në Austri që prej vitit 2014 dhe kishte aplikuar për azil për veten dhe familjen. Sipas gjykatës, ai nuk ishte ndaluar dhe nuk i ishin vendosur kufizime gjatë procesit gjyqësor. Për më tepër, largimi i tij nga Austria nuk përbënte shkelje të ligjit apo të vendimeve të gjykatës, ndërsa apeli i tij vijon të jetë në shqyrtim.

Burimi: Bota Sot