Ekskluzive | Tentoi t’i ikte Policisë duke kërcyer nga ballkoni –

0%

Një aksion antidrogë në Prizren ka përfunduar me lëndimin e personit të dyshuar, i cili, në përpjekje për t’i ikur Policisë, dyshohet se ka kërcyer nga ballkoni i banesës dhe ka pësuar fraktura në të dyja këmbët, mëson Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Flamur Delijajn rreth 32-vjeç, ndërsa rasti ka ndodhur mbrëmjen e 17 gushtit, në rrugën “ Ali Hadri ” në Prizren. Sipas informacioneve që ka mësuar Sinjali, operacioni është zhvilluar në kuadër të planit operativ “ Vera 2026 ”, pas informacioneve të siguruara nga terreni.

Me urdhër verbal të Prokurorit të Shtetit, hetuesit e DHTN-së – Njësia në Prizren, të asistuar nga NJRSH-ja dhe hetuesit e Stacionit Policor në Prizren, kanë nisur kontrollin në banesën e Delijajt. Por në momentin kur Policia ka hyrë në banesë, situata ka marrë një kthesë tjetër.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas të dhënave të rastit, 32-vjeçari dyshohet se, në përpjekje për t’i ikur Policisë, ka kërcyer nga ballkoni i banesës. Nga rënia ai ka pësuar lëndime serioze, përkatësisht fraktura në të dyja këmbët, dhe është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal në Prizren. Ndërkohë, kontrolli në banesë ka vazhduar.

Policia ka gjetur dhe sekuestruar 6.68 gramë substancë të dyshuar kokainë, 3.40 gramë hashash dhe 1.29 gramë marihuanë. Përveç narkotikëve, janë sekuestruar edhe një peshore digjitale, një grinder, një iPhone 11 dhe 585 euro para të gatshme.

Rasti është iniciuar nën dyshimet për veprën penale “ Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”. Pavarësisht gjetjeve, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Delijaj është liruar për procedurë të rregullt hetimore, ndërsa aktualisht vazhdon trajtimin mjekësor për lëndimet e pësuara.

Hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë nga DHTN – Njësia në Prizren. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com