Zyrtarët doganorë të Zyrës Doganore Kufitare Karasoviçi kanë parandaluar tentativën për futjen e paligjshme të 43 orëve të dorës në territorin e Bashkimit Evropian. Sipas mediave kroate, automjeti në të cilin u gjetën orët drejtohej nga një shtetas i Kosovës, i cili kishte leje qëndrimi në Kroaci.
“Gjatë zbatimit të masave të shtuara të kontrollit doganor në trafikun e udhëtarëve, në hyrje të territorit doganor të Bashkimit Evropian është kontrolluar një automjet me targa kroate, të cilin e drejtonte një shtetas i Republikës së Kosovës me leje qëndrimi në Republikën e Kroacisë”.
Gjatë kontrollit, zyrtarët doganorë zbuluan në një valixhe udhëtimi, të vendosur në ulësen e pasme të automjetit, 43 orë të dorës të padeklaruara dhe të markave të ndryshme. “Gjatë kontrollit të automjetit, në një valixhe udhëtimi në ulësen e pasme janë gjetur 43 orë të dorës të padeklaruara, të markave të ndryshme”, njoftoi Administrata Doganore e Kroacisë.
Për shkeljen e kryer, drejtuesit të automjetit i është lëshuar urdhër kundërvajtës dhe i është shqiptuar gjobë në vlerë prej 6 mijë eurosh. Përveç gjobës, autoritetet kroate kanë konfiskuar edhe mallrat që ishin objekt i kundërvajtjes.
Ndërkohë, rasti është duke u hetuar më tej, pasi ekziston dyshimi se orët mund të kenë pasur shenja të markave të mbrojtura tregtare të vendosura pa autorizimin e bartësve të të drejtave.
“Duke pasur parasysh dyshimin e bazuar se në mallrat në fjalë janë vendosur pa autorizim shenjat dalluese të markave të mbrojtura tregtare, përkatësisht pa miratimin e bartësve të të drejtave, procedura e mëtejshme është në zhvillim e sipër”, është thënë në njoftimin e Administratës Doganore. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
