Një nxënës i shkollës së mesme, i armatosur me dy pistoleta, qëlloi për vdekje një nxënës tjetër para se ta vriste veten të martën në një sulm në kampusin shkollor në jug të Filipineve, të cilin e transmetoi drejtpërdrejt duke përdorur një kamerë të vendosur në trup, thanë policia dhe disa zyrtarë të tjerë.
Ky është sulmi i dytë fatal në shkolla në shtetin e largët aziatik në vetëm dy muaj, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press” . Qindra nxënës u evakuuan pas dëgjimit të të shtënave në ndërtesën e shkollës së mesme të kampusit universitar “Ateneo de Zamboanga” në qytetin jugor bregdetar, Zamboanga. Policia dhe zyrtarët e qytetit thanë se dy persona kanë pësuar lëndime.
I dyshuari, i identifikuar nga policia si Mohammad Mael Jalani, qëlloi me armë në drejtim të një mësuesi që po qëndronte ulur, por mësa duket nuk arriti ta godiste. Ai më pas qëlloi një nxënës në katin e katërt të ndërtesës para se të shkonte edhe një kat më sipër dhe ta vriste veten, tha policia në një raport fillestar.
“Ai hyri dhe filloi të shkrepte pa dallim, duke goditur një nxënës të klasës së dhjetë në katin e katërt e më pas shkoi në katin e pestë dhe kërceu nga ndërtesa dhe kreu vetëvrasje” – tha sekretari i Brendshëm, Jonvic Remulla. “Ai e shfaqi këtë në platformën Facebook Live, kur po ngjitej shkallëve, por kishte vetëm fragmente.
Ne do ta analizojmë historinë e lojërave të tij dhe historinë e bisedave, prandaj nuk mund të dalim me një përgjigje të plotë për atë se pse ndodhi kjo derisa të bëjmë një analizë të plotë forenzike” – shtoi ai. Kryetari i qytetit Zamboanga dhe policia thanë se i dyshuari e qëlloi veten me armë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
