Producenti Nicolas Altmayer dhe gruaja e tij Mathilde Favier humbën

0%

Nicolas Altmayer, një prej producentëve më të njohur të kinematografisë franceze, dhe partnerja e tij, Mathilde Favier, drejtoreshë e marrëdhënieve me publikun në shtëpinë e modës Dior, kanë humbur jetën të hënën në një aksident tragjik automobilistik. Çifti, që përfaqësonte suksesin e kinematografisë dhe modës franceze, u përfshi në një aksident në departamentin Deux-Sèvres.

Lajmi u konfirmua të martën nga miqtë e tyre të afërt, raporton Le Figaro . Aksidenti ndodhi të hënën pasdite në rrugën D938, pranë qytetit Airvault, në segmentin mes Thouars dhe Parthenay. Prokuroria në Niort konfirmoi identitetin e dy viktimave.

Sipas informacioneve të publikuara nga media lokale ICI Poitou , automjeti i tyre, një Mini, u përplas me një kamion që po vinte nga drejtimi i kundërt. Nicolas Altmayer ishte 61 vjeç dhe baba i katër fëmijëve. Së bashku me vëllain e tij, Éric, ai drejtonte kompaninë e produksionit Mandarin.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Edhe pse përgjithësisht qëndronte larg vëmendjes publike, Altmayer ishte një prej emrave të rëndësishëm pas disa prej filmave francezë më të suksesshëm të dekadave të fundit. Kompania e tij qëndronte pas serive të njohura të filmave “Brice de Nice” dhe “OSS 117”, si dhe projekteve të regjisorit François Ozon dhe artistit Grand Corps Malade.

Ai ishte gjithashtu producent i filmit “Saint Laurent”, i cili përfaqësoi Francën në garën për çmimin Oscar. Altmayer kishte sukses edhe në prodhimin televiziv, duke qenë pas serialit “Cœur Noir” për Prime Video, si dhe projekteve të Franck Gastambide, “Validé” dhe “La Cage”. Lajmi për vdekjen e tij ishte veçanërisht i rëndë për regjisorin Franck Gastambide.

“Ky është një tronditje e tmerrshme. Nicolas prodhoi të gjithë filmat dhe serialet e mi, nga ‘Les Kaïras’ deri te filmi ‘Stones’, i cili do të shfaqet në kinema në vitin 2027. Ai ishte i pari që besoi tek unë. Folëm në telefon vetëm dje në mëngjes, ndërsa komunikonim çdo ditë.

Për 15 vitet e fundit, ai nuk ishte vetëm producenti im, por edhe mentori im, babai që do të doja të kisha”, u shpreh Gastambide. Mathilde Favier ishte 56 vjeçe dhe nënë e dy fëmijëve. Për më shumë se një dekadë, ajo punoi si drejtoreshë e marrëdhënieve me publikun në Dior Couture, ku ishte përgjegjëse për bashkëpunimin me yjet më të njohura ndërkombëtare.

Ajo e nisi karrierën në revistën Glamour , ndërsa para se t’i bashkohej Diorit, punoi për 11 vjet në Prada. Favier ishte përgjegjëse për veshjen dhe paraqitjen e yjeve si Michelle Yeoh, Charlize Theron, Jennifer Lawrence dhe Anya Taylor-Joy, duke u konsideruar si një prej figurave që mishëronin më së miri elegancën pariziane.

Ajo kishte publikuar edhe librin “Mathilde à Paris”, ndërsa kishte themeluar shoqatën “Esthétique & Cancer”, përmes së cilës synonte t’u ndihmonte personave të prekur nga kanceri të rifitonin vetëbesimin. Favier kishte folur publikisht edhe për përvojën e saj personale me kancerin e gjirit.

Pas lajmit tragjik, Delphine Arnault reagoi përmes një komunikimi të brendshëm të shtëpisë së modës Dior. “Me trishtim të madh morëm lajmin për ndarjen nga jeta të të dashurës sonë, Mathilde Favier, e cila humbi jetën në një aksident trafiku së bashku me partnerin e saj, Nicolas. Mathilde ishte një person i jashtëzakonshëm.

Gëzimi, optimizmi, guximi dhe përkushtimi i saj ishin shembull për të gjithë”, thuhej në deklaratë. “Ajo mishëronte në mënyrë të përsosur gruan që përfaqëson Dior. Energjia, buzëqeshja dhe eleganca e saj do të na mungojnë shumë”, përfundonte mesazhi.

Burimi: Telegrafi