Përveç një këmbësoreje 17-vjeçare, i dyshuari që tentoi të arratisej me veturë gjatë aksionit policor për fajde në Prizren, ka goditur edhe një zyrtar policor – hetues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë, i cili ka pësuar lëndime të lehta trupore.
Rasti ka ndodhur gjatë operacionit policor të zhvilluar sot në Prizren, ku janë arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale “Fajdeja”. Sipas Policisë së Kosovës, gjatë tentimit për arrestimin e njërit prej të dyshuarve, ai nuk është ndalur me automjet dhe ka vazhduar ikjen.
Gjatë arratisjes, i dyshuari fillimisht ka goditur një këmbësore 17-vjeçare, e cila sipas vlerësimit të mjekëve ka pësuar lëndime, por është jashtë rrezikut për jetë. Po gjatë ikjes, ai ka goditur edhe zyrtarin policor – hetues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë, i cili ka pësuar lëndime të lehta trupore.
Pas veprimeve të ndërmarra nga zyrtarët policorë, i dyshuari është ndaluar dhe arrestuar. Gjatë arrestimit të të dyshuarit kryesor janë gjetur edhe para të dyshuara se janë dhënë për qëllime të simulimit, të cilat janë sekuestruar për procedurë të mëtejshme hetimore.
“Policia e Kosovës do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me përkushtim dhe profesionalizëm, të ndërmarrë veprime dhe operacione të tilla, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të veprave penale dhe sigurimit të rendit dhe ligjit për të gjithë qytetarët, në mënyrë të barabartë dhe pa dallim.
Pas përfundimit të operacionit, do të vazhdohet me procedurat e mëtejshme penale, në përputhje me udhëzimet e Prokurorit të Shtetit dhe dispozitat ligjore në fuqi.”, tha për Sinjalin, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi. Ekskluzive: Bastisja në Prizren, në cak dyshohet se janë edhe substancat narkotike Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
