Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, theksoi se infrastruktura energjetike planifikohet për dekada përpara dhe për rrjedha energjetike që tashmë po e ndryshojnë hartën e Evropës.
Ajo prezantoi Studimin e parë Kombëtar për Hidrogjenin, i cili nuk është vetëm dokument për një burim të ri energjie, por udhërrëfyes për drejtimin ku duhet të lëvizë shteti – drejt një infrastrukture të përgatitur për prodhimin, transmetimin dhe përdorimin e hidrogjenit të pastër.
Bozhinovska nënvizoi se pozita gjeografike e Maqedonisë, mes Greqisë dhe Serbisë dhe në rrugën drejt tregjeve të Evropës Qendrore, mund të marrë rol të ri në rrjetin pan-evropian të hidrogjenit. Por për këtë potencial duhen lidhje fizike, rregulla të harmonizuara, institucione të forta dhe bashkëpunim afatgjatë rajonal.
Ajo kujtoi takimet në SHBA, përfshirë edhe në Shtëpinë e Bardhë, ku u nënshkrua Memorandumi për bashkëpunim në energjetikë, si dhe takimin katërpalësh ministror në Athinë më 15 maj, ku u vendos përfshirja e Maqedonisë dhe Serbisë në zgjerimin e Korridorit Vertikal të Gazit.
Ministrja theksoi se interkonektorët me Greqinë dhe Serbinë po ndërtohen jo vetëm për diversifikim të furnizimit me gaz natyror, por edhe si infrastrukturë e përgatitur për transport të hidrogjenit. Segmenti maqedonas i interkonektorit me Greqinë, nga Negotina deri në kufi, është 67 km, ndërsa i gjithë projekti deri në Nea Mesimvria do të ketë 123 km.
Kapaciteti i planifikuar është deri në 2,8 miliardë metra kub gaz në vit, duke i tejkaluar nevojat vendore dhe duke i dhënë Maqedonisë rol tranzitues.
Bozhinovska përmendi edhe projektin e tranzicionit të drejtë në REK Bitola, ku po përgatitet centrala e re kogjenerative “REK Bitola 1”, me mbështetje prej 2,4 milionë dollarësh nga Banka Botërore, e cila do të përdorë gaz natyror me mundësi përshtatjeje për hidrogjen në të ardhmen.
Ajo theksoi se reformat e energjetikës tashmë janë vlerësuar pozitivisht nga Komisioni Evropian, duke përfshirë krijimin e sistemit për menaxhimin e tranzicionit të drejtë dhe miratimin e planit trevjeçar për rinovimin e ndërtesave të administratës qendrore. „Nga shtet i varur nga një pikë hyrëse, Maqedonia po bëhet shtet i lidhur me më shumë drejtime dhe burime.
Nga vëzhgues i proceseve rajonale, po shndërrohemi në pjesëmarrës aktiv. Kjo është infrastruktura që po ndërtojmë sot dhe roli energjetik që po krijojmë për nesër“, përfundoi ministrja Bozhinovska.
