Tabaku ngre alarmin për bizneset shqiptare: Shqipëria po hyn në

0%

Ndërsa Shqipëria vijon procesin e hapjes së grupkapitujve të negociatave me Bashkimin Europian, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ngre shqetësimin për mungesën e përgatitjes së bizneseve shqiptare për përballjen me tregun dhe standardet europiane.

Në një reagim në rrjetet sociale, Tabaku kërkon hartimin e planeve të qarta të tranzicionit për çdo sektor, financim real për përshtatjen e bizneseve me standardet europiane, asistencë teknike dhe garantimin e konkurrencës së ndershme. Sipas saj, anëtarësimi duhet të shoqërohet me ekonomi më të fortë dhe biznese të afta për të prodhuar, eksportuar dhe konkurruar.

Ajo kritikon mungesën e konsultimit të vazhdueshëm me biznesin, transparencës për secilin sektor dhe një kalendari të qartë të detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit. Postimi i plotë: Integrimi europian nuk është një fotografi në Bruksel. Nuk është një ceremoni, një konferencë apo një datë në kalendarin e qeverisë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Integrimi, është transformimi i shtetit, i ekonomisë dhe i mënyrës se si funksionon tregu. Për një zyrtar, standardet europiane mund të jenë thjesht kapituj dhe direktiva të lexuara nga zyra. Për një sipërmarrës, ato janë investime, pajisje, teknologji, kredi dhe vende pune.

Bizneset dhe qytetarët janë ata që do të përfitojnë nga ky proces, por edhe ata që do të paguajnë kostot e papërgatitjes. Qeveria pati vite për t’i përgatitur bizneset shqiptare. Megjithatë, nuk ndërtoi në kohë skema financimi, laboratorë, institucione certifikimi dhe kapacitete teknike.

Sipërmarrja u mbajt larg procesit, pa konsultim të vazhdueshëm, pa transparencë sektoriale dhe pa një kalendar të qartë detyrimesh. Ndërkohë, biznesi shqiptar hyn në konkurrencën europiane nga një treg i deformuar prej monopoleve, favorizimeve, korrupsionit dhe ligjeve me porosi. Në këtë treg nuk fiton gjithmonë ai që prodhon më mirë, investon në teknologji dhe paguan rregullisht taksat.

Shpesh fiton ai që ka lidhjen më të fortë. Por tregu europian është i hapur dhe konkurrues. Ai nuk fal mungesën e standardeve dhe e ndëshkon papërgatitjen. Bizneset shqiptare gjenden sot mes një ekonomie të kapur dhe të pandershme, nga njëra anë, dhe një qeverie që nuk dialogon me to dhe nuk i ndihmon të përballojnë sfidat e integrimit, nga ana tjetër.

Shqipërisë i duhen plane të qarta tranzicioni për çdo sektor, financim real për përshtatjen e sipërmarrjes, asistencë teknike dhe konkurrencë e ndershme. Integrimi europian nuk fillon në tavolinën e negociatave. Fillon në fermë, në fabrikë, në dyqan dhe në buxhetin e çdo familjeje.

Halli nuk është të përmbushim kushte në letra por qëllimi duhet të jetë që Shqipëria të hyjë në Bashkimin Europian me një ekonomi më të fortë dhe me biznese shqiptare që konkurrojnë, prodhojnë dhe eksportojnë jo me bizneset e ndershme të sakrifikuara dhe të privilegjuarit të mbrojtur. Apo me një klimë ku biznesi është lënë në mes të katër rrugëve qëllimisht!

Burimi: Bota Sot