I caktohet masa e paraburgimit Igor Markoviqit i dyshuar për sulmet

0%

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit ndaj Igor Markoviqit, i cili dyshohet për përfshirje në sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në maj të vitit 2023 në Zveçan.

Sipas njoftimit të gjykatës, ndaj të pandehurit ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale “Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese”, “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Gjykata ka vlerësuar se paraburgimi është masa më e përshtatshme në këtë fazë të procedurës, pasi ekziston rreziku që i dyshuari të arratiset me qëllim të shmangies së përgjegjësisë penale. Në arsyetimin e saj, gjykata ka theksuar se Igor Markoviq është shtetas i Serbisë, çka, sipas saj, e rrit rrezikun që ai të largohet dhe të bëhet i paarritshëm për organet e drejtësisë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Po ashtu, gjykata ka vlerësuar se ekziston edhe rreziku që i dyshuari të ndikojë te dëshmitarët ose te provat, duke penguar zhvillimin e procedurës penale. Për këtë arsye, Gjykata Themelore në Prishtinë ka konstatuar se, në këtë fazë, paraburgimi mbetet masa e vetme që garanton zhvillimin e papenguar të procedurës penale.

Igor Markoviq dyshohet se ishte i përfshirë në sulmet e majit 2023 në Zveçan, ku u sulmuan pjesëtarët e KFOR-it dhe zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Burimi: Telegrafi