Prokuroria Themelore në Prizren e ka ndaluar për 48 orë personin me inicialet I. Ç., i dyshuar se ka kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “mashtrimi”. Sipas Prokurorisë, i pandehuri I.
Ç, në cilësinë e pronarit dhe personit përgjegjës të Qendrës për Verifikim të Aftësive Profesionale “A.” në Prizren, dyshohet se ka lëshuar diploma të aftësimit profesional për profesione të ndryshme, pa u zhvilluar trajnimet përkatëse teorike dhe praktike, ndonëse në diploma është paraqitur se këto trajnime janë përfunduar me sukses.
Dyshohet se nga viti 2019 e deri më tani, janë lëshuar rreth 1,679 diploma për profesione të ndryshme, ndërsa pagesa për një diplomë dyshohet të ketë qenë rreth 300 euro dhe përfitimi nga kjo veprimtari e kundërligjshme dyshohet te jetë rreth 500 mijë euro.
“Sipas të dhënave të siguruara gjatë hetimit, këto diploma dyshohet se janë përdorur për punësim brenda dhe jashtë vendit, si dhe për plotësimin e kritereve në procedura të ndryshme të prokurimit.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë, më .
Ekipet e Policisë kanë kontrolluar në Qendrën e dyshuar, e cila ka rezultuar se nuk ka qenë e akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK) dhe nuk ka qenë i autorizuar për ofrimin, vlerësimin dhe certifikimin e kualifikimeve profesionale.
Prokuroria njofton se janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësi të provave: 333 diploma profesionale, të vulosura dhe të pavulosura, me emrat e kandidatëve; dy pajisje kompjuterike, në të cilat ishte i instaluar programi për regjistrimin e diplomave; dy USB me të dhëna; tri vula të biznesit; një telefon mobil i të dyshuarit; 11 fleta me shënime lidhur me borxhet dhe pagesat; 630 euro para të gatshme; dhe nëntë kartëvizita të biznesit.
“Brenda afatit ligjor, Prokuroria do të vlerësojë paraqitjen e kërkesës për caktimin e masës për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurën penale.” – ka njoftuar Prokuroria.
Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës ka ftuar çdo qytetar që dyshon se është mashtruar apo dëmtuar lidhur me pajisjen me diploma ose dokumente të aftësimit profesional nga Qendra në fjalë, që të paraqitet dhe ta raportojë rastin në Prokurorinë Themelore në Prizren ose në stacionin më të afërt policor.
