Kryetari i degës së Aleancës në Prishtinë, Kreshnik Smajlaj, ka akuzuar Qeverinë për, siç e ka quajtur ai, “ngulfatje të qëllimshme administrative”, duke thënë se pushteti lokal ndodhet në një gjendje të jashtëzakonshme.
Smajlaj ka reaguar edhe për protestën e paralajmëruar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës për 1 shtator, duke e lidhur atë me, siç pretendon ai, një politikë që synon t’i zhveshë komunat nga kompetencat.
Ai ka ngritur shqetësime edhe për Draftin e ri të Projektligjit për Pronën Publike, duke pretenduar se ndryshimet e propozuara mund të cenojnë pronësinë e komunave mbi shkollat, tokat, qendrat mjekësore dhe objektet e tjera publike.
Sipas Smajlajt, Aleanca që nga qershori ka ofruar zgjidhje konkrete për problemet aktuale, ndërsa një prej pikave kryesore të ofertës së saj lidhet me Prishtinën. Postimi i plotë: Sot pushteti lokal ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të një ngulfatjeje të qëllimshme administrative. Ky bllokim ka një emër të qartë.
Protesta e paralajmëruar nga Asociacioni i Komunave për 1 shtator vjen si rezultat direkt i një politike që po tenton ta zhveshë nivelin lokal nga çdo kompetencë. Drafti i ri i Projektligjit për Pronën Publike e shpërfaq hapur këtë tendencë, duke rrezikuar që komunat të humbasin pronësinë mbi shkollat, tokat, qendrat mjekësore dhe ndërtesat publike.
Largpamësia e Aleancës që nga qershori ka qenë pikërisht mbivendosja mbi këto kriza përmes zgjidhjeve konkrete që parashihen në ofertën tonë. Një nga pikat kyçe është pikërisht ajo për Prishtinën, e pikat tjera prekin secilat fusha që janë lënë në harresë nga kjo qeveri.
Nëse partia që ka fituar zgjedhjet do të pranonte ofertën tonë, përveç se do t’i merrte votat e Aleancës dhe do t’i krijonte institucionet, do të bënte edhe një kthesë të madhe: do ta çlironte Prishtinën, e cila sot është e ngulfatur nga mungesa e buxhetit që ka rezultuar në mungesë totale të investimeve.
Fondi Emergjent për Prishtinën dhe ndarja e 800 milionë deri në 1 miliard eurove për investime kapitale vetëm për kryeqytetin u vendos sepse kjo pikë specifike garanton financimin e plotë të të gjitha projekteve rrugore, unazave dhe investimeve madhore kapitale që sot kanë mbetur plotësisht pezull nga mungesa e mjeteve.
Derisa kjo Qeveri i sheh qytetet tona si rivalë, Aleanca ka projektin shtetëror që e nxjerr kryeqytetin nga izolimi, duke e çliruar përfundimisht Prishtinën nga inatet politike. Mjafton që partia e parë që ka dalë nga zgjedhjet ta ketë vullnetin për të mos e bllokuar Kosovën. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
