Rusia e ka paralajmëruar të martën () Britaninë se do të përballet me pasoja për furnizimin Ukrainës me dronë, të cilët përdoren për të sulmuar objektiva në territorin rus, raporton Reuters .
Ambasada e Rusisë në Londër po i përgjigjej një raporti të së shtunës () në gazetën “The Times”, ku raportohej se dronët e prodhuar në Britani ishin përdorur për herë të parë për sulme me rreze të gjatë veprimi kundër Rusisë.
“Veprimet e Londrës do të sjellin pashmangshmërisht pasoja për të cilave ajo do të duhet t’u përgjigjet”- ka thënë Ambasada në një deklaratë të postuar në kanalin e saj Telegram. “Sa më e thellë të jetë përfshirja e saj në konflikt dhe sa më e madhe të jetë mbështetja e saj për makinerinë terroriste të Kievit, aq më i lartë do të jetë çmimi që do të paguajë”.
Ukraina ka përdorur dronë për sulme në thellësi të territorit rus për t’i goditur rafineritë e naftës dhe objektet logjistike. Ministria e Mbrojtjes e Britanisë nuk ka konfirmuar nëse ishin përdorur dronët britanikë. Britania kishte njoftuar në qershor se do t’ia siguronte Ukrainës 150 mijë dronë deri në fund të vitit 2026 si pjesë e paketës së financimit prej 996 milionë dollarësh.
I pyetur në lidhje me komentet e Ambasadës ruse, një zëdhënës i Ministrisë britanike të Mbrojtjes ka thënë: “Britania qëndron krah Ukrainës dhe ne jemi të përkushtuar për t’i siguruar pajisjet që i nevojiten Ukrainës për ta mbrojtur veten kundër pushtimit të paligjshëm të Putinit”.
Që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës më 2022, Moska ka paralajmëruar vazhdimisht Britaninë dhe aleatët e tjerë perëndimorë se mbështetja e tyre për Kievin, përfshirë furnizimin me pajisje, mund të provokojë masa hakmarrëse dhe të rrisë rrezikun e një konfrontimi më të gjerë. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
