Pas raportimit për kalim gradual të monitorimit të urës së Ibrit nga trupat e KFOR-it te Policia e Kosovës, Bashkimi Europian ka deklaruar se nevojitet ende përmirësim në koodinim dhe konsultime mes komunave dhe nivelit qëndror (për hapje të çdo lloj qarkullimi).
Në një përgjigje për KALLXO.com nëse janë plotësuar kushtet për hapjen e Urës së Ibrit, një zëdhënës i BE-së ka deklaruar se pas transferimit të qeverisjes lokale në veri, pas zgjedhjeve lokale, “koordinimi efektiv dhe konsultimet domethënëse ndërmjet komunave të përfshira dhe institucioneve në nivel qendror duhet të përmirësohen”.
“Qëndrimi i BE-së lidhur me urën ka qenë gjithmonë i qartë dhe është udhëhequr nga nevoja që ura t’u shërbejë të gjitha komuniteteve dhe komunave që ajo lidh, si dhe të kontribuojë në bashkëpunimin dhe marrëdhënie të mira mes tyre”- ka thënë BE më . BE ka shtuar se të gjitha vendimet lidhur me urën duhet të marrin parasysh interesat dhe shqetësimet e të gjitha komuniteteve.
“Është e rëndësishme që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë dhe mbrojtjen e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt”- ka shtuar më tej BE.
Javën e kaluar, misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO, njoftoi se në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga Ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. “Qëndrimi i një misioni të NATO-s në Kosovë është çështje që i takon NATO-s të vendosë për të.
Mund të konfirmojmë se BE-ja është informuar nga NATO”- është thënë më tej nga BE për Kallxo.com. Derisa, në një konferencë për media të BE-së më , gazetari August Palokaj i kerkoi sqarim zëdhënëses së BE-së, Anitta Hipper, nëse mund të konkludojmë se BE konsideron se ura duhet të hapet për çdo lloj trafiku, ajo përsëriti qëndrimin se duhet ende përmirësim në koordinim dhe konsultim.
“Ura tashmë është e hapur për këmbësorë, por ende jo për të gjithë. Ne kemi bërë vlerësimet tona dhe janë ndërmarrë hapa në këtë drejtim. Qëndrimi ynë mbetet se ende nevojitet koordinim efektiv dhe konsultime domethënëse, të cilat i presim dhe që duhet të përmirësohen”- shtoi ajo.
Në Mitrovicë, më , u vu guri i themelit për dy ura të reja mbi lumin Ibër, me një kosto prej afro 3 milionë euro. Të dyja janë lëshuar për qarkullim. Njëra prej tyre është lëshuar për qarkullim për vetura dhe këmbësorë në fund të gushtit 2025 kurse tjetra në dhjetor 2025.
