Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, i është kundërpërgjigjur kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, pas deklaratave të këtij të fundit për përplasjet mes komunave dhe Qeverisë së Kosovës. Peci ka thënë se Rama nuk mund të flasë në emër të të gjithë kryetarëve të komunave, duke theksuar se nuk e përfaqëson atë dhe Mitrovicën në qëndrimet e tij.
“JO në emrin tim dhe të Mitrovicës, Përparim!”, ka shkruar Peci në një reagim në Facebook. Ai ka thënë se e kupton përpjekjen e Ramës për të marrë rol opozitar ndaj Qeverisë, por ka kundërshtuar atë që e cilësoi si tendencë për të folur në emër të të gjithë kryetarëve të komunave.
Rama: Kryetarët e komunave do të protestojnë në shtator para Qeverisë Kurti “E kuptoj tendencën tënde për të luajtur rolin e liderit opozitar karshi Qeverisë, por nuk kam mirëkuptim karshi tendencës të flasësh në emër të të gjithë kryetarëve të komunave, e aq më pak të Mitrovicës”, ka deklaruar Peci.
Sipas tij, dëmtimi i interesit publik dhe bashkëpunimit ndërinstitucional vjen pikërisht nga përpjekjet e disa komunave për të marrë rol opozitar ndaj Qeverisë. “Nëse diçka e dëmton interesin publik dhe qytetar, si dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, është tendenca e krisur që disa komuna t’ia bëjnë opozitën Qeverisë”, ka shkruar ai.
Peci është ndalur edhe te pretendimi për 334 milionë euro dëm, duke aluduar në detyrimet që lidhen me kontratën kolektive. “Ata që i paskan shkaktuar 334 milionë euro dëm, nëse po flisni për kontratën kolektive, i ke në tavolinë”, ka thënë Peci.
Kryetari i Mitrovicës ka shtuar se, sipas tij, Rama nuk e njeh kontekstin institucional dhe politik në vend dhe ka ngritur pyetje lidhur me përgjegjësinë për këtë shumë. “Po ti s’e di kontekstin institucional dhe politik në vend, dhe për këtë dëm prej qindra milionë eurosh askush nuk është ftuar as në intervistim, as për të dhënë shpjegim”, ka përfunduar Peci. / Telegrafi
