Haxhiu: Kurti dhe Abdixhiku do të takohen shumë shpejt

0%

Ushtruesja e detyrës së Presidentës së Kosovës, Albulena Haxhiu tha se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti shumë shpejt do të ketë një takim me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Haxhiu tha se Kurti njoftoi për këtë në takimin konsultativ në mes partive politike dhe saj. “Kryetari i LVV na tha se me LDK do të ketë një takim shumë shpejtë”- tha Haxhiu.

Haxhiu në deklarimin për media tha se zgjedhjet e reja duhet të shmangen dhe se partitë politike duhet të arrijnë një marrëveshje për këtë.

“Para nesh janë dy qëndrime politike, ai i LVV dhe partnerëve që nëse hyjmë në konstituim të Kuvendit pa marrëveshje për presidentit, mund të përsëritet kriza, dhe në anën tjetër qëndrimin e PDK-së, LDK-së dhe Aleancës që të konstituohet Kuvendi dhe më pas të flitet për president.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Unë nuk jam këtu për të gjykuar qëndrimet e partive politike, por nuk kemi nevojë të hamendësojmë se çka sjellë mungesa e një marrëveshje. Unë sot kam dëgjuar qëndrimet e partive politike që ishin të pranishme në takim, të gjitha ato, ishin që duhet të kontribuojnë në marrëveshjen për presidentin dhe duhet të shmangin zgjedhjet.

Nëse nuk mund të merremi vesh sot, nuk kemi asnjë garanci që një palë zgjedhje të reja do të na bëjnë të merremi vesh nesër” – tha ajo. Ushtruesja e detyrës së Presidentes, tha se duhet të niset të flitet me emra të përveçëm për president konsensual. Haxhiu tha se LVV ka theksuar që janë për një president konsensual.

“Unë jam e bindur që qytetarët duan të partitë politike të ulën dhe jo të refuzojnë takime, por të ulen dhe të flasin për çështjen e presidentit. Le të fillojmë të flasim me emra të përveçëm, konsensual. Kemi një qëndrim të LDK-së për president konsensual, të fillojmë të flasim për emra të përveçshëm për kandidat konsensual e që nuk është në radhët e partive politike.

LVV thekson që janë për një president konsensual. Kurti theksoi që i ka votat për kryetarin e Kuvendit dhe për qeverinë, pra çështja është të presidenti. Është çështje prioritare sepse mund t’i bëjmë dyjat dhe të mos kemi zgjidhje për presidentin e të shkojmë në zgjedhje sërish” – tha Haxhiu.

Abdixhiku kishte thënë se sa i përket postit të presidentit të Kosovës, janë të gatshëm të bisedojnë për zgjedhjen e një presidenti “që mbron interesat e Republikës dhe Kushtetutën e saj, që përfaqëson unitetin e popullit dhe ushtron përgjegjësitë kushtetuese, përfshirë udhëheqjen e politikës së jashtme, duke mbrojtur interesat e shtetit dhe interesat vetëm të Republikës”.

Megjithatë, sipas Abdixhikut, LDK ka kritere të qarta për presidentin e ardhshëm.“Stabiliteti i shtetit nuk do të jetë më mall për shkëmbim, Le ta zgjedhim të gjithë bashkë, të gjitha partitë politike shqiptare presidentin që mbron Republikën dhe Kushtetutën dhe le të zgjedhim një president që është i Republikës së Kosovës” – tha ai.

Abdixhiku tha se LDK do të pranojë një president konsensual, që e mbron Republikën e jo një president që i shërben një partie politike për të kapur institucionet e Republikës.

Tash, me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve, deputetët e legjislaturës së 11-të kanë 30 ditë afat për të konstituuar Kuvendin dhe menjëherë pas konstituimit të Kuvendit fillon afati 60 ditor për zgjedhjen e presidentit të ri. Në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit brenda këtij afati 60 ditor, vendi shkon përsëri në zgjedhje.

Burimi: Kallxo