Kur dëgjojmë emrin e Jezu Krishtit, zakonisht na vijnë ndër mend dashuria, paqja, falja dhe mëshira. Ai është Princi i Paqes (Is 9, 6), Ai që na mësoi ta duam edhe armikun, ta falim fajtorin dhe ta mposhtim të keqen me të mirë. Megjithatë, në mënyrë paradoksale, po ky Jezu Krisht është bërë edhe shenjë kundërshtimi dhe shkak i përçarjeve më të mëdha në historinë e njerëzimit.
Në pamje të parë, kjo duket si një kundërthënie. Si mund të jetë shenjë përçarjeje Ai që shpalli paqen dhe i quajti të lumtur paqebërësit? Si mund të ndajë njerëzit Ai që e flijoi jetën e vet për shpëtimin e të gjithë njerëzve, pa dallim race, kombi apo kulture? A nuk erdhi Krishti për t’i bashkuar njerëzit me Hyjin dhe ndërmjet tyre? Përgjigjja gjendet në vetë misionin e Tij.
Jezu Krishti nuk erdhi për të krijuar përçarje, por për ta shpallur të vërtetën. Pikërisht përballja me të vërtetën kërkon një zgjedhje. Askush nuk mund të mbetet i paanshëm përballë Krishtit. Çdo njeri është i thirrur të vendosë: ta pranojë ose ta refuzojë Atë. Prandaj, nuk është Krishti ai që i ndan njerëzit, por qëndrimi i tyre ndaj Tij.
Pranimi ose refuzimi i Krishtit ka qenë dhe mbetet pika ku ndahen zemrat, familjet, shoqëritë, madje edhe kombet. Përçarja fillon në zemrën e njeriut, aty ku e vërteta e Krishtit zbulon atë që fshihet në ndërgjegjen e tij. Kjo e vërtetë nuk i ka kursyer as shqiptarët.
Edhe në mesin tonë, emri i Jezu Krishtit ka qenë dhe vazhdon të jetë objekt debatesh, kundërshtish dhe, në disa raste, ndarjesh. Edhe shqiptarët janë përballur me pyetjen themelore: çfarë vendi ka Jezu Krishti në jetën, familjen dhe shoqërinë tonë? Në disa familje, besimi në Krishtin nuk pranohet nga të gjithë.
Në shoqëri, gjithashtu, ka pasur raste kur njerëzit janë gjykuar, përjashtuar ose tallur për shkak të bindjeve të tyre fetare. Edhe më e dhimbshme është kur feja përdoret për të ngritur mure ndërmjet shqiptarëve, në vend që të bëhet burim paqeje, respekti dhe bashkimi.
Një shembull që na kujton se këto ndarje nuk janë vetëm çështje teorike është edhe rasti i Zogajt të Vushtrrisë, ku janë shfaqur kundërshtime lidhur me ndërtimin e një kishe. Një kishë nuk duhet parë vetëm si një ndërtesë fetare apo si shenjë e përkatësisë së një grupi, por edhe si pjesë e historisë, kujtesës dhe trashëgimisë shpirtërore e kulturore të një vendi.
Prandaj, kur një objekt fetar kundërshtohet mbi bazën e paragjykimit, intolerancës ose mospranimit të tjetrit, kjo tregon se sa lehtë mund të ngrihen mure ndërmjet njerëzve që i përkasin të njëjtit popull. Rasti i Zogajt na fton të mendojmë më thellë: a duhet të jetë feja arsye për t’u larguar nga njëri-tjetri, apo një mundësi për të mësuar të respektojmë më shumë njëri-tjetrin?
Ne mund të kemi bindje të ndryshme fetare, por kjo nuk duhet të na bëjë armiq. Përkundrazi, pikërisht përballë dallimeve tona duhet të tregojmë pjekuri, respekt dhe dashuri për tjetrin. Megjithatë, duhet bërë një dallim i rëndësishëm: Krishti nuk është burimi i urrejtjes dhe i përçarjes. Përçarja lind nga mënyra se si njerëzit i përgjigjen Atij dhe thirrjes së Tij.
Disa e pranojnë, e duan dhe e ndjekin si Zot dhe Shëlbues; të tjerë e refuzojnë, e kundërshtojnë ose nuk e pranojnë mesazhin e Tij. Kështu, Krishti mbetet njëkohësisht Princi i Paqes dhe një shenjë që zbulon gjendjen e zemrës së njeriut. Kjo është pikërisht ajo që Krishti vetë paralajmëroi.
Ai nuk tha se ardhja e Tij do të sillte gjithmonë një pajtim të jashtëm dhe të menjëhershëm ndërmjet të gjithë njerëzve. Përkundrazi, Ai e dinte se e vërteta që shpallte do të kërkonte një përgjigje dhe një zgjedhje. Prandaj tha: “Mos mendoni se kam ardhur të sjell paqen mbi tokë; nuk kam ardhur të sjell paqen, por shpatën” (Mt 10,34).
Kjo “shpatë” nuk është thirrje për dhunë, por shpreh seriozitetin e vendimit që kërkon e vërteta e Krishtit. Krishti nuk përçan duke mbjellë urrejtje. Ai e vendos njeriun përballë së vërtetës. Drita zbulon errësirën, e vërteta sfidon mashtrimin dhe e mira e sfidon të keqen. Pikërisht për këtë arsye, pranimi i Krishtit mund të krijojë përplasje me ata që mendojnë ndryshe.
Jo sepse Krishti dëshiron përçarjen, por sepse njeriu është i lirë ta pranojë ose ta refuzojë Atë. Kjo dukuri mund të vërehet edhe në realitetin shqiptar. Edhe pse shumë shqiptarë janë të pagëzuar dhe vazhdojnë ta jetojnë fenë e krishterë, në raste të caktuara ndërtimi ose rindërtimi i kishave është shoqëruar me kundërshtime.
Këto qëndrime mund të lidhen me faktorë të ndryshëm historikë, shoqërorë, politikë, ideologjikë ose me keqkuptime rreth marrëdhënies ndërmjet identitetit kombëtar dhe atij fetar. Por duhet theksuar qartë se qëndrime të tilla nuk mund t’u atribuohen në mënyrë të përgjithshme shqiptarëve myslimanë apo besimtarëve myslimanë në tërësi.
Shumë shqiptarë të feve të ndryshme kanë dëshmuar dhe vazhdojnë të dëshmojnë respekt të ndërsjellë, bashkëjetesë dhe solidaritet. Prandaj, nuk duhet ta përdorim fenë si armë për të gjykuar tjetrin. Nëse dikush e përdor emrin e Krishtit për të urryer, përjashtuar ose poshtëruar tjetrin, problemi nuk qëndron te Krishti, por te keqpërdorimi i emrit dhe i mësimit të Tij.
Krishti nuk na mëson ta urrejmë tjetrin për shkak të fesë së tij; Ai na mëson ta duam të afërmin dhe të respektojmë dinjitetin e çdo njeriu. Prandaj, pyetja nuk është nëse Krishti sjell paqe apo përçarje. Krishti është Princi i Paqes. Pyetja është se si përgjigjemi ne ndaj Tij dhe ndaj së vërtetës që Ai shpall.
Ai mund të bëhet “shkak për ndarje” vetëm në kuptimin se prania e Tij kërkon një zgjedhje: ta pranosh ose ta refuzosh, ta ndjekësh ose të largohesh prej Tij. Kjo është edhe arsyeja pse përçarja nuk duhet t’i atribuohet Krishtit, por mënyrës se si njerëzit zgjedhin t’i përgjigjen Atij. Ai nuk erdhi për të ngritur mure ndërmjet njerëzve, por për t’i pajtuar ata me Zotin dhe me njëri-tjetrin.
Edhe rasti i Zogajt duhet të na bëjë të reflektojmë. Në një shoqëri ku ekzistojnë dallime fetare, pjekuria nuk matet me aftësinë për ta heshtur tjetrin, por me aftësinë për ta respektuar atë. Nuk kemi nevojë për më shumë mure mes nesh, por për më shumë mirëkuptim, respekt dhe bashkëjetesë.
Sepse mund të kemi fe të ndryshme, tradita të ndryshme dhe mënyra të ndryshme për ta kuptuar Zotin, por kjo nuk duhet të na e mohojë atë që na bashkon si njerëz dhe si shqiptarë. Dhe nëse Krishti është vërtet Princi i Paqes, atëherë ata që e ndjekin Atë duhet të jenë të parët që ndërtojnë ura, jo mure. Krishti e paralajmëroi përçarjen Krishti e paralajmëroi përçarjen.
Ai nuk premtoi se pranimi i Tij do të ishte i lehtë. Ai tha: “Mos mendoni se kam ardhur të sjell paqe mbi tokë; nuk kam ardhur të sjell paqen, por shpatën.” (Mt 10,34). Në një vend tjetër shton: “Kam ardhur të sjell zjarr mbi tokë… Mendoni se kam ardhur të sjell paqe? Jo, por përçarje.” (Lk 12,49-53). Këto fjalë nuk nënkuptojnë se Krishti nxit dhunën. Përkundrazi.
Ai paralajmëron se e vërteta gjithmonë kërkon zgjedhje. Kur e vërteta hyn në jetën e njeriut, ajo zbulon errësirën. Drita nuk lufton me errësirën; ajo thjesht e zhduk atë. Pikërisht kjo shkakton konflikt. Shpata për të cilën flet Jezusi është simbol i ndarjes ndërmjet së vërtetës dhe gënjeshtrës, ndërmjet dritës dhe errësirës, ndërmjet jetës sipas Hyjit dhe jetës sipas mëkatit.
Askush nuk mund të mbetet i paanshëm përballë Krishtit, sepse Ai kërkon një përgjigje të lirë dhe të vendosur. Pranimi i Tij shpesh sjell kundërshtime, madje edhe nga njerëzit më të afërt, sepse Ungjilli sfidon interesat, krenarinë dhe egoizmin njerëzor.
Historia e Kishës dëshmon se sa herë është shpallur e vërteta e Krishtit, ajo ka zgjuar njëkohësisht besim të thellë dhe kundërshtim të fortë. Prandaj, përçarja që sjell Krishti nuk është qëllimi i Tij, por pasojë e pashmangshme e përballjes së njeriut me të vërtetën e Ungjillit. Përse Krishti përçan? Ai nuk i përçan njerëzit sepse dëshiron ndarje, por sepse secili duhet të vendosë.
Askush nuk mund të mbetet neutral përballë Jezusit. Ose e pranon, ose e refuzon. Nuk ekziston një pozitë e tretë. Kur Pilati u përball me Jezusin, ai nuk arriti të marrë një vendim të drejtë. Kur Herodi u përball me Të, e përqeshi. Farisenjtë e refuzuan. Apostujt e lanë gjithçka dhe e ndoqën. I njëjti Krisht, reagime krejtësisht të ndryshme.
Krishti është drita që zbulon atë që fshihet në zemrën e njeriut. Prania e Tij nxjerr në pah të vërtetën, prandaj askush nuk mund të qëndrojë indiferent para saj. Ai nuk e detyron askënd ta ndjekë, por e fton secilin në liri që të zgjedhë mes së vërtetës dhe gënjeshtrës, mes dritës dhe errësirës.
Pikërisht kjo liri e zgjedhjes bën që disa ta përqafojnë Ungjillin me gëzim, ndërsa të tjerët ta kundërshtojnë me forcë. Për këtë arsye, përçarja nuk buron nga Krishti, por nga qëndrimi i njerëzve ndaj Tij. Përçarja fillon në zemrën e njeriut Konflikti i parë nuk ndodh ndërmjet njerëzve, por brenda vetë njeriut.
Çdo njeri ndien luftën ndërmjet së vërtetës dhe interesit, ndërmjet ndërgjegjes dhe mëkatit, ndërmjet dritës dhe errësirës. Krishti e nxjerr këtë luftë në sipërfaqe. Ai nuk e lë njeriun të jetojë në kompromis me të keqen. Prandaj shumë njerëz e refuzojnë. Sepse pranimi i Krishtit kërkon një ndryshim të zemrës dhe një dorëzim të vullnetit para Zotit.
Ai prek plagët e fshehura të shpirtit dhe zbulon ato që njeriu shpesh përpiqet t’i fshehë edhe nga vetja. Fjala e Tij bëhet si një dritë që ndan të vërtetën nga mashtrimi dhe të mirën nga e keqja. Kjo ndarje nuk është qëllimi i Krishtit, por pasojë e zgjedhjes së lirë të njeriut përballë së vërtetës.
Kush e pranon Krishtin gjen paqen e vërtetë, ndërsa kush e refuzon mbetet në luftën e brendshme të zemrës së vet. Pse elitat e kohës e refuzuan Jezusin? Farisenjtë nuk e refuzuan Jezusin sepse Ai bënte të keqen, por pikërisht sepse Ai zbulonte të keqen e fshehur pas pamjes së jashtme të shenjtërisë.
Ai rrëzonte maskat e hipokrizisë, demaskonte padrejtësinë dhe nuk pranonte një fe të kufizuar vetëm në rite e forma, pa një zemër të kthyer sinqerisht drejt Zotit. Jezusi nuk luftonte kundër njerëzve, por kundër mëkatit, gënjeshtrës dhe çdo gjëje që e ndante njeriun nga Zoti.
Ai u kujtonte udhëheqësve fetarë se adhurimi i vërtetë nuk matet vetëm me fjalë dhe tradita të jashtme, por me një jetë të drejtë, me mëshirë, dashuri dhe besnikëri ndaj së vërtetës. Fjalët e Tij prekën ndërgjegjen e atyre që ishin mësuar me pushtetin, privilegjet dhe lavdinë njerëzore.
Ai nuk u përshtatej interesave të tyre dhe nuk kërkonte miratimin e elitave, sepse misioni i Tij ishte të sillte Mbretërinë e Zotit dhe t’i kthente njerëzit në një marrëdhënie të vërtetë me Atin. Edhe sot ndodh e njëjta gjë. Krishti vazhdon ta sfidojë njeriun, sepse Ai nuk kërkon vetëm një besim të shprehur me buzë, por një zemër të ndryshuar dhe një jetë të ndërtuar mbi të vërtetën.
Drita e Tij zbulon atë që shpesh dëshirojmë ta fshehim dhe na fton të heqim dorë nga maskat tona. Prandaj, përballë Jezusit askush nuk mund të mbetet indiferent. Njeriu duhet të zgjedhë: ose ta pranojë dritën e Tij dhe të lejojë që ajo ta shndërrojë, ose të mbrohet pas krenarisë, interesave dhe errësirës së vet.
Krishti edhe sot vazhdon të përçajë Nuk ka ndoshta figurë tjetër historike që vazhdon të shkaktojë reagime kaq të forta dhe kaq të kundërta. Emri i Tij edhe sot provokon, sepse përballë Krishtit njeriu nuk mund të mbetet plotësisht indiferent. Shumë e duan dhe e ndjekin me gjithë zemër. Shumë e refuzojnë, e kundërshtojnë ose e përqeshin.
Shumë të tjerë kanë qenë të gatshëm të japin edhe jetën për Të. Në shumë vende të botës, të krishterët përballen me përndjekje; disa burgosen vetëm për shkak të besimit të tyre, të tjerë humbin vendin e punës, ndërsa disa përjashtohen nga familja ose shoqëria. Kjo nuk ndodh sepse Krishti nxit urrejtje apo përçarje, por sepse e vërteta që Ai sjell kërkon një vendim.
Prania e Tij zbulon qëndrimin e zemrës së njeriut: pranimin ose refuzimin. Krishti nuk erdhi për të krijuar armiqësi, por për të sjellë dritën e Zotit në një botë të ndarë nga mëkati. Megjithatë, drita shpesh shqetëson ata që janë mësuar me errësirën. Fjalët e Tij vazhdojnë të sfidojnë ndërgjegjen, sepse Ai kërkon jo vetëm një besim me buzë, por një ndryshim të vërtetë të zemrës.
Prandaj edhe sot Krishti mbetet shenjë kundërshtie, siç e kishte profetizuar Simeoni: “Ky është caktuar për rënien dhe ngritjen e shumë vetëve në Izrael dhe për një shenjë që do të kundërshtohet” (Lk 2,34). Përçarja në familje Sa familje janë ndarë për shkak të fesë? Sa prindër nuk flasin më me fëmijët e tyre për shkak të bindjeve të ndryshme?
Sa bashkëshortë jetojnë në të njëjtën shtëpi, por me botëkuptime të ndryshme shpirtërore? Krishti e kishte paralajmëruar këtë realitet. Ai nuk premtoi se ndjekja e Tij do të sillte gjithmonë mirëkuptim nga të gjithë, madje as nga njerëzit më të afërt. Kur njëri zgjedh Krishtin dhe tjetri e refuzon, mund të lindë tensioni dhe përçarja.
Jo sepse Krishti e dëshiron konfliktin, por sepse dashuria për të vërtetën ka çmimin e saj. Besimi i vërtetë kërkon një zgjedhje të zemrës dhe kjo zgjedhje ndonjëherë përballet me kundërshtim. Historia e shumë familjeve dëshmon se ndryshimi shpirtëror i një personi mund të shkaktojë pyetje, frikë dhe madje largim nga ata që nuk e kuptojnë atë rrugë.
Megjithatë, Krishti nuk na thërret të urrejmë, por të duam edhe atë që mendon ndryshe. Ai na mëson se e vërteta duhet të shoqërohet gjithmonë me mëshirë, durim dhe përulësi. Qëllimi i besimit nuk është të ndajë zemrat, por t’i çojë ato drejt një dashurie më të madhe në Zotin. Sekularizmi dhe refuzimi modern Sot nuk është më Perandoria Romake ajo që e përndjek Kishën.
Në shumë vende të botës, përndjekja ka marrë forma të reja dhe shpesh shfaqet si një presion kulturor. Besimi përqeshet, vlerat fetare relativizohen dhe feja paraqitet si diçka e vjetruar ose jashtë kohës moderne. Morali i krishterë shpesh konsiderohet si pengesë për një shoqëri që kërkon të jetë plotësisht e pavarur nga çdo kufizim shpirtëror.
Njeriu modern shpesh dëshiron liri pa përgjegjësi, një liri që nuk pranon asnjë të vërtetë përtej dëshirave personale. Ndërsa Krishti nuk e mohon lirinë e njeriut, por e fton atë në një liri që lind nga e vërteta, dashuria dhe përgjegjësia. Pikërisht këtu lind konflikti: jo ndërmjet Krishtit dhe njeriut, por ndërmjet dy mënyrave të ndryshme për ta kuptuar lirinë dhe jetën.
Krishti nuk vjen për ta robëruar njeriun, por për ta çliruar nga gjithçka që e shkatërron shpirtërisht. Ungjilli sfidon mendësinë që e vendos njeriun në qendër të gjithçkaje pa iu përgjigjur pyetjes për kuptimin e jetës. Për këtë arsye, edhe sot shumë njerëz e pranojnë Krishtin si dritë dhe shpresë, ndërsa të tjerë e refuzojnë sepse Ai kërkon një ndryshim të zemrës.
Përballja me Krishtin mbetet një zgjedhje personale që çdo brez duhet ta bëjë. Krishti dhe ideologjitë Çdo ideologji që e vendos njeriun në vend të Zotit bie ndesh me mesazhin e Krishtit. Historia ka njohur shumë sisteme dhe mendësi që kanë premtuar një “shpëtim” të krijuar vetëm nga forcat njerëzore: komunizmi, nazizmi, materializmi, relativizmi moral dhe kultura e konsumit.
Të gjitha këto, në mënyra të ndryshme, e largojnë njeriun nga Zoti dhe e bëjnë atë qendrën absolute të ekzistencës. Krishti shpall se shpëtimi i vërtetë nuk vjen nga pushteti, pasuria, ideologjitë apo arritjet njerëzore, por nga bashkimi me Zotin nëpërmjet Tij.
Ai nuk premton një parajsë të ndërtuar vetëm nga njeriu, por një jetë të re të themeluar mbi të vërtetën, dashurinë dhe hirin e Hyjit. Prandaj përplasja është e pashmangshme. Kur Krishti kërkon që Zoti të jetë në qendër të jetës, Ai sfidon çdo mendësi që dëshiron ta largojë Zotin nga zemra e njeriut.
Historia tregon se çdo përpjekje për të ndërtuar një botë pa Zotin përfundimisht përballet me kufizimet dhe dobësitë e vetë njeriut. Përballë kësaj, Krishti thërret jo në urrejtje ndaj njerëzve, por në kthimin e zemrës drejt së vërtetës dhe jetës që vjen nga Zoti. Pse disa e urrejnë Kishën?
Shpesh nuk është vetë Krishti ai që refuzohet, por imazhi i shtrembëruar që krijohet për Të përmes gabimeve njerëzore. Shumë njerëz largohen nga Kisha për shkak të dobësive të disa të krishterëve, skandaleve, hipokrizisë dhe mungesës së dëshmisë së vërtetë të Ungjillit.
Kur të krishterët nuk jetojnë sipas mësimit të Krishtit, ata mund të bëhen pengesë për të tjerët dhe t’i largojnë njerëzit nga burimi i besimit. Por gabimet e dishepujve nuk e rrëzojnë të vërtetën e Mësuesit. Krishti nuk erdhi për të themeluar një bashkësi njerëzish të përsosur, por për të shëruar mëkatarët dhe për t’i thirrur në kthim.
Kisha mbetet një bashkësi njerëzore dhe hyjnore, ku veprojnë edhe hiri i Zotit, por edhe dobësitë e njerëzve. Historia tregon se, pavarësisht dështimeve të anëtarëve të saj, mesazhi i Krishtit ka vazhduar të ndriçojë miliona zemra. Shpesh kritika ndaj Kishës duhet të na shtyjë jo vetëm të gjykojmë, por edhe të pyesim veten nëse ne vetë po e jetojmë vërtet Ungjillin.
Në fund, fytyra më e bukur e Kishës shihet atëherë kur ajo dëshmon dashurinë, mëshirën dhe të vërtetën e Krishtit. Unë, autori i këtyre rreshtave, e kam përjetuar këtë të vërtetë në jetën time. Takimi me Jezusin e ngjallur ka sjellë një ndryshim thelbësor në qenien time: në mendimet e mia, në zemrën time dhe në mënyrën se si e jetoj dhe e kuptoj jetën.
Krishti ma ka ndryshuar jetën në mënyrë të thellë dhe më ka bërë të lumtur. Asnjë person, asnjë përvojë, asnjë arritje dhe asnjë gjë e kësaj bote nuk ka mundur të bëjë në jetën time atë që ka bërë Jezusi. Njerëzit mund të më kenë dhënë dashuri, këshilla dhe mbështetje, por askush nuk ka mundur ta ndryshojë thellësinë e qenies sime si Krishti.
Për mua, Jezusi nuk është thjesht një ide fetare, një traditë apo një figurë e së kaluarës. Ai është një Person i gjallë, që më ka takuar, më ka prekur zemrën dhe më ka treguar një rrugë të re. Në Të kam gjetur kuptimin, shpresën, paqen, gëzimin dhe lumturinë e vërtetë.
Krishti nuk ka ndryshuar vetëm disa rrethana të jetës sime; Ai ka filluar të ndryshojë vetë mua – mënyrën se si mendoj, si i shoh njerëzit, si i përballoj vështirësitë dhe si e kuptoj faljen, dashurinë dhe qëllimin e jetës. Jezusi nuk ma ka bërë jetën thjesht më të lehtë; Ai ma ka dhënë një kuptim të ri.
Nuk më ka premtuar një jetë pa vështirësi, por më ka dhënë forcën për t’i përballuar ato me besim dhe shpresë. Mbi të gjitha, më ka bërë të kuptoj se jeta ime ka një drejtim dhe një qëllim: të jetoj me Të, për Të dhe në dashurinë e Tij. Prandaj dëshmia ime është e thjeshtë dhe e sinqertë: Jezu Krishti është ndryshimi më i madh që ka ndodhur në jetën time.
Ai që dikur e kërkoja si një të vërtetë, sot e njoh si një Person të gjallë. Liria e njeriut Zoti nuk e detyron askënd, sepse dashuria e vërtetë nuk imponohet. Ai i ka dhënë njeriut lirinë për të zgjedhur, për të kërkuar të vërtetën dhe për t’iu përgjigjur thirrjes së Tij me një zemër të lirë. Prandaj edhe Krishti respekton lirinë e çdo personi.
Ai troket në derën e zemrës, por nuk e hap me forcë. Megjithatë, çdo zgjedhje e njeriut ka pasoja. Pranimi i Krishtit nuk është vetëm një bindje mendore, por një takim i gjallë që ndryshon jetën, zemrën dhe mënyrën e të jetuarit. Edhe refuzimi i Tij është një zgjedhje që ndikon në rrugën shpirtërore të njeriut.
Kur njeriu ia hap zemrën Krishtit, ai zbulon një dashuri që nuk e kufizon, por e çliron. Ai kupton se liria e vërtetë nuk është të bësh gjithçka që dëshiron, por të zgjedhësh të mirën, të jetosh në të vërtetën dhe të ecësh në rrugën e dashurisë. Në këtë liri, njeriu nuk e humb veten, por e gjen identitetin e tij më të thellë tek Zoti.
Prandaj, hapja ndaj Krishtit nuk e zhduk identitetin personal apo kombëtar; përkundrazi, e pastron, e thellon dhe e orienton drejt së mirës. Njeriu që e gjen veten në Zotin bëhet më i aftë ta dojë familjen, popullin dhe vendin e tij jo me krenari përjashtuese, por me përgjegjësi, shërbim dhe dashuri.
Edhe një komb, kur e vendos të vërtetën dhe të mirën mbi interesat e ngushta, mund të ecë drejt një lirie më të pjekur dhe më njerëzore.
