Kapiteni i Liverpoolit, Virgil van Dijk, ka pranuar se mbrojtjes së rindërtuar të skuadrës do t’i duhet kohë për t’u harmonizuar, pavarësisht se i ka vlerësuar pozitivisht përforcimet e reja, Ronald Araujon dhe Jeremy Jacquet.
Liverpooli ka pësuar ndryshime të mëdha në repartin defensiv, pas largimit të Ibrahima Konates dhe Andy Robertsonit, ndërsa Joe Gomez është dëmtuar në ndeshjen e parë miqësore të para-sezonit.
Për të përforcuar mbrojtjen, klubi anglez ka afruar mbrojtësin uruguaian Ronald Araujo në formë huazimi njëvjeçar nga Barcelona, ndërsa francezi Jeremy Jacquet iu bashkua Liverpoolit këtë verë, pasi ishte transferuar që në muajin shkurt. Të dy mbrojtësit luajtën në fitoren 2-0 të Liverpoolit ndaj Comos në “Anfield”, ndërsa Jacquet arriti edhe të shënonte.
Van Dijk beson se ndeshjet do të jenë çelësi për krijimin e një lidhjeje më të mirë mes mbrojtësve të rinj. “Duke luajtur ndeshje. Nuk do të them se është mënyra e vetme, por ndeshjet janë krejt ndryshe nga stërvitjet”, deklaroi Van Dijk. Ai shtoi se komunikimi dhe kuptimi i situatave në fushë do të përmirësohen gradualisht.
“Është e qartë se duhet të krijoni një lidhje mes vete dhe kjo kërkon pak kohë. Sipas mendimit tim, është krejt normale. Shpresojmë që ta arrijmë këtë sa më shpejt të jetë e mundur”, u shpreh kapiteni i Liverpoolit. Liverpooli, që sezonin e kaluar e përfundoi Premier Ligën në vendin e pestë, do ta nisë sezonin e ri më 23 gusht, në udhëtim te Newcastle United.
