Një rast jo fort i zakonshëm është regjistruar të hënën në Klinë, ku një 39-vjeçar është paraqitur vetë në Stacionin Policor për të raportuar tri armë që figuronin në emrin e tij, por lejet për to kishin skaduar, mëson Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Visar Morinën rreth 39-vjeç nga fshati Jashanicë i Klinës, i cili jeton dhe punon në Gjermani.
Morina është paraqitur në Polici më 17 gusht, rreth orës , duke njoftuar se posedonte dy pushkë gjuetie dhe një pushkë ajrore, të regjistruara në emrin e tij, por për të cilat lejet përkatëse nuk ishin më të vlefshme.
Pasi është njoftuar Prokurori kujdestar, është urdhëruar sekuestrimi i armëve dhe intervistimi i Morinës në cilësinë e të dyshuarit për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Me pëlqimin e tij, zyrtarët policorë kanë shkuar së bashku me Morinën në shtëpinë e tij, ku kanë sekuestruar dy pushkë gjuetie, njëra prej tyre e prodhimit turk, si dhe një pushkë ajrore. Gjatë intervistimit, 39-vjeçari ka deklaruar se jeton dhe punon në Gjermani dhe se, për shkak të qëndrimit jashtë Kosovës, nuk kishte arritur të kujdesej për vazhdimin e vlefshmërisë së lejeve.
Ai ka deklaruar gjithashtu se prindi i tij është në moshë të shtyrë dhe me probleme shëndetësore, ndaj, për të shmangur çdo përgjegjësi të mundshme në të ardhmen lidhur me armët që figuronin në emrin e tij, kishte vendosur t’i raportonte dhe t’i dorëzonte ato vullnetarisht.
Pas intervistimit dhe konsultimit me Prokurorin e Shtetit, Morina është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti do të procedohet më tej përmes kallëzimit penal. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!