Një kontroll policor i një veture në Prizren ka çuar në zbulimin e substancave të dyshuara narkotike dhe më pas në bastisjen e shtëpisë së shoferit, ku janë gjetur edhe marihuanë, fishekë, gëzhoja, peshore elektronike dhe një pushkë ajrore, mëson Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Valdrin Kryeziu 32-vjeçar , i cili pas përfundimit të veprimeve hetimore është ndaluar për 48 orë. Rasti ka nisur më 17 gusht, rreth orës , në rrugën “Gani Saramati” në Prizren, kur një patrullë policore ka ndaluar një veturë Mercedes-Benz.
Sipas informacioneve që ka mësuar Sinjali, gjatë ndalimit policët kanë vërejtur pluhur të bardhë te këmbët e shoferit, çka ka ngritur dyshime dhe ka bërë që të kontrollohen si 32-vjeçari, ashtu edhe automjeti. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar 0.72 gramë substancë e dyshuar kokainë, një peshore elektronike, një pajisje elektronike – detektor, si dhe një palë dylbi.
Por rasti nuk ka përfunduar me kontrollin e veturës. Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, Policia ka vazhduar me kontrollin e shtëpisë së Kryeziut, ku janë gjetur edhe prova të tjera.
Sipas të dhënave të rastit, në shtëpi janë sekuestruar 7.26 gramë substancë e dyshuar marihuanë, dy gëzhoja dhe pesë fishekë të kalibrit ende të papërcaktuar, dy peshore elektronike, një pushkë ajrore “Hatsan Striker” 5.5 mm pa numër serik dhe një këllëf pistolete.
Pas gjetjeve, në rast është përfshirë edhe Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Njësia në Prizren, e cila ka marrë përsipër hetimet e mëtejshme. Kryeziu është intervistuar dhe më pas, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë.
Rasti po hetohet nën dyshimet për “Posedim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
